“Datat e njëjta, e njëjta përvojë e bukur, vendndodhje tjetër!”, ka njoftuar festivali “Sunny Hill” nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook.

Këtë gusht, festivali “Sunny Hill” është detyruar që të transferohet drejt Tiranës.

“Duam të njoftojmë të gjithë biletardët tanë se biletat e tyre janë të vlefshme për Sunny Hill Festival 2022 – Tirana Edicioni, ndërsa ata që nuk kanë mundësi të ndjekin Festivalin në Tiranë, do të mund të rimbursojnë biletat. (Dritarja e rimbursimit do të hapet nga data 1 korrik deri më 15 korrik”, thuhet më tej në postim.

Dukagjin Lipa, një prej organizatorëve të festivalit “Sunny Hill” njoftoi dje se festivali s’do të mbahet sivjet në Prishtinë.

Ai tha se shkaku i zvarritjes së procedurave nga ana e Qeverisë për tokën që komuna u ndau, kanë marrë vendim që ta mbajnë festivalin në Tiranë.

Të menjëhershme ishin reagimet e Kryetarit të Tiranës, Erion Veliajt dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës.

Veliaj publikoi në InstaStory njoftimin e festivalit, derisa Rama reagoi i ekzaltuar për këtë lajm.

“LAJM I MIRË. Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre. S’ka si Tirona jo”, shkroi Rama.

Tashmë është zbuluar edhe lokacioni ku do të mbahet festivali.

Shpat Begolli, anëtar i ekipit organizativ ka zbuluar se festivali do të mbahet në parkun buzë liqenit artificial të Tiranës.

Ai tha se Bashkia e Tiranës është zotuar se do t’i bëjë të gjitha adaptimet që festivali të mbahet aty.

“Është park, mirëpo atje është shumë më i madh sesa Gërmia. Si është kryer edicioni i vitit 2019, ne kemi kërkuar hapësirë të përshtatshme sepse festivali po rritej. Po të mbahej sot, Gërmia nuk do të na zinte”, është shprehur Begolli.

Ndryshe, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka dalë me një komunikatë lidhur me zhvendosjen e Festivalit Sunny Hill nga Prishtina në Tiranë. Vonesat nga kjo ministri u konsideruan si arsyeja kryesore e largimit të festivalit këtë vit, teksa komuna ka thënë se e ka bërë të pamundurën që të mos e humbasë organizimin./Xh.M