Së fundmi,  keni ardhur për lexuesin me librin “Kapitulli i Amerikës”,  dhe,  siç e tregoni ju vetë,  një uragan në SHBA ju shtyu që ta bëni këtë libër.  Ç’është ky kapitull më vete nga jeta intensive e një shkrimtari,  mund të quhet libri juaj i jetës apo ende nuk e keni shkruar atë?

Një gjë mund ta pohoj me siguri: libri “Kapitulli i Amerikës”, të cilin e kam shkruar në rrethana jo të zakonshme, është shumë i rëndësishëm për mua. Siç e kam shpjeguar tashmë, ai vjen plot dhjetë vjet pas librit “Iluzione në sirtar”, si vazhdim në një kohë tjetër i këtij të fundit. Në këtë kuptim, këta dy libra, plotësues të njëri-tjetrit, unë i quaj si librat e mi më të rëndësishëm.

Keni thënë para një viti se “sëmundja e të shkruarit është më e egër sesa sëmundja fizike”.  Pse triumfon kjo forcë,  çfarë e bën shpërthyese fuqinë e shkrimit te Fatos Kongoli?

Kur isha ende i shtruar në spital, në një gjendje të rëndë, pas dy operacioneve radhazi, nuk e mendoja se do të vinte një ditë e do të mund të shkruaja sërish. Madje, nuk kisha më as dëshirë të shkruaja. Mirëpo nja shtatë-tetë muaj më vonë, sapo mora veten,  mezi prita të ulesha për të shkruar! Është e vërtetë, unë kam menduar gjithmonë se të shkruarit, në rastin tim, është një lloj sëmundjeje. Dhe, gjithnjë në rastin tim, kjo sëmundje doli më e fortë se ajo, që për pak desh më hëngri kokën.

Ajo përthyerja e çastit mes jetës dhe vdekjes,  çfarë gjurme la te ju si shkrimtar,  përveç dashurisë së shtuar për jetën dhe vlerësimit të saj,  natyrisht.  Ndodh ndonjëherë që dhimbjet e mëdha,  fatkeqësitë apo çështje të natyrës ekzistenciale të bëhen vendimtare tek një autor.  Po te Kongoli?

Kjo pyetje është nga ato që askush nuk e ka të lehtë t’i përgjigjet, kam shkruar një libër të tërë për këtë. Sigurisht, ato që thatë ju,  ndikojnë në krijimtarinë e një autori, siç kanë ndikuar edhe tek unë. Notat autobiografike janë të pranishme pothuajse në të gjitha romanet e mia.

Megjithatë, më lejoni të përsëris një episod të Heminguejit me një gazetar, që e kam përmendur edhe te libri “Kapitulli i Amerikës”.

Kur gazetari e pyet se sa dhe si ka ndikuar në krijimtarinë e tij fakti që ai  kishte shpëtuar nga vdekja pas një aksidenti ajror,  shkrimtari i madh i përgjigjet me shaka pak a shumë kështu: Atyre që do t’i shtronin pyetjen se si dhe sa kishte ndikuar aksidenti ajror në krijimtarinë e tij, për ta kuptuar këtë, do t’u sugjeronte të provonin të varnin veten, pastaj të shkruanin se çfarë kishin ndier.

 

Një shkrimtar i certifikuar brenda dhe jashtë kufijve,  i vlerësuar nga lexuesi e kritika,  por edhe i kritikuar,  natyrisht,  si çdo shkrimtar tjetër,  jeni ndier ndonjëherë i dështuar aq sa të dëshironit të hiqnit dorë nga letërsia?

Po, madje më se një herë.

 

Letërsia me të cilën na janë kryqëzuar rrugët,  në të shumtën e rasteve,  na çon në traditën e kulturës së Lindjes dhe Perëndimit,  ju besoni se ka një narracion të tillë që e udhëheq letërsinë tonë apo kjo e jona s’i ngjan asnjërës?

Nuk e di, nuk mund të them asgjë. Mund të them dy fjalë vetëm bazuar në përvojën time.

Unë shkruaj me intuitë. Në periudha të ndryshme të jetës kam  lexuar shumë, autorë të mëdhenj, që janë shkollat e mirëfillta të letërsisë, por edhe më pak të mëdhenj apo të zakonshëm. Të gjithë këta, kush më shumë e kush më pak,  kanë ndikuar tek unë.

Nga ana tjetër, të gjithë popujt, në Lindje apo në Perëndim, kanë letërsi të mëdha. Formimi im letrar ka ndodhur nën ndikimin e këtyre letërsive të mëdha, për aq sa i kam pasur mundësitë t’i njoh këto letërsi për një kohë të gjatë.

Shënoj, së fundi, në përgjigje të kësaj pyetjeje,  se nuk jam as kritik letrar, as studiues i letërsisë, as historian i saj. Në këtë kuptim,  nuk dëshiroj të qorrollepsem në hapësira që nuk i njoh.

 

 Jeni shkrimtar i dy kohëve, realizmit socialist dhe demokracisë tranzitive.  Liria e tepruar apo privimi i saj,  cila është deviza e një shkrimtari të suksesshëm?

Sipas meje është punë, punë dhe vetëm punë.

I ndiqni rrjedhat e letërsisë? Si ju duket trendi i saj në vend e në botë?

E thashë edhe më sipër, në periudha të ndryshme të jetës sime kam lexuar shumë, dhe shkruaja pak. Gjithsesi, leximi ka qenë kënaqësia ime më e madhe, tani ndiej mall për ato kohë kur lexoja pothuajse gjithçka që më binte në dorë. Kuptohet, sot kjo është krejt e pamundur.

Kam qenë kurdoherë i mendimit se elita e vërtetë nuk janë ata që shkruajnë. Janë ata që lexojnë. Edhe tani, për shembull, nuk është e vështirë të vësh re se të gjithë shkruajnë, shkruajnë, vetëm shkruajnë… Doemos, kjo nuk është thjesht një dukuri e sotme, as një dukuri thjesht shqiptare.

Aktualisht, leximi është kthyer për mua në një luks. Lidhet me moshën, me kohën në dispozicion. Tani lexoj pak, me raste, kur nuk mundem ndryshe, nga letërsia jonë dhe ajo e përbotshme.

Një pyetje ndryshe: Bota,  përherë me çështje të pazgjidhura,  me përplasje,  luftëra dhe përgjakje.  Cili është gjykimi juaj,  mbi sistemin global,  por edhe mbi psikologjinë e popujve? Populli ynë ju duket popull me defekte?

Bota kështu ka qenë dhe, duket, kështu do të jetë, s’mund të them se deri kur… Është diçka që lidhet me natyrën e njeriut, me natyrën e shoqërisë njerëzore.

Populli ynë është si të gjithë popujt e tjerë, as më i “mirë”, as më i “keq”. Me ndryshimin se është i vogël në numër, hyn në kategorinë e popujve “të vegjël”. Këtu e kanë burimin të gjitha ato dukuri që  na kanë shoqëruar gjatë shekujve, që na shoqërojnë edhe sot e kësaj dite.

Në mbyllje i kthehemi sërish letërsisë,  cili është projekti i radhës,  ditar,  kujtime,  gjëra të parrëfyera…?

Ju lutem të më lejoni të mos i përgjigjem kësaj pyetjeje.