ATDHEU

Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi.
E mban – dhe të mban ty – në shpirt.

Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë
Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

Atdheu është buka e urritur,
të ikën nga duart e dot nuk e ngop
ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur
me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

Atdheu është varr i hapur, është varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë
Në një pikë loti lirinë e lind.

Atdheu yt i vogli, i vogli,
Ai hyjnori i pavdekshmi – loti.

DITE TIRANASE

Ti mbyll derën pas e nisesh
Në mesin e rrugës takon ditën
Që të pyet e hutuar: – Nga të shkoj?
Shpresën e ushqejnë me shpresë, –
Pastaj shpresës i vrasin shpresën.
Vetëm pasqyrat ndryshojnë,
Teknologjia përsosëse e tyre, –
Fytyrat janë po ato.
Jo, ti, – hija jote shkrin në gotën me ujë
Diellin dhe kokrrën e aspirinës, –
Ke dhimbje të forta koke.
E di: zembereku i zemrës sime
Eshtë pluhurosur , – kur do të vijë Ajo,
Me frymën e saj t’i fryjë,
Të ndjej ecjen tingëlluese të kohës.
Në qiellin e Tiranës, një unazë e zjarrtë
Fluturon nga syri në sy –
Kërkon gishtin e nuses.
Kërciti gonxhe e zambakut tek çelej,
Dhe marsi eci para meje.
Të paktën, o zot, akoma jemi njerëz
Respektojmë dallëndyshet dhe vdekjen.

E PAENDERRTA IME

Më duhet një gjysëm ëndrre,
E paëndërrta ime.
Vë kokën në gjoksin tënd
E tani përplasem
Te kokë e një tjetri.
Më duhet një gjysëm ëndrre.
Shigjetat e orës së dorës
Tutje i shtyjnë kalimtarët,
në ditë të rrëpirta tiranase.
Shpirtra jo shpirtra që shkojnë…
Bri meje dikush flet me vete.
pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.
Dikush, prej zhgënjirni të egër,
mbërthen kryqe të reja.
I hedh një gjysëm leku
Dhe blej kryqin tim.
Tani që ta ngre
Më duhet një gjysëm ëndrre,
E paëndërrta ime.

NUK MBYLLEM DOT

S’kam fuqi më as të trishtohem
Jemi anije pa spirancë
Mes erërave të egra të kundërta.
Peshqit Ilafazanë shurdhojnë qiellin
Më jepni ju një copë ironie,
Se nuk e gjej dot në veten time,-
Një copëz ironie
Sa gjysmëz e krahut të zogut,-
Të mbrohem nga shirat e verdhë
Të predikimeve të apostujve të lajthitur.
Të gjithë na kanë faj dhe askush:
Deshëm të krijohemi në asgjësimin tonë
Tani gjithë dritaret e shpirtit
Janë hapur, bymyer e kalbur
Nga shirat e lotëve,-
Dhe s’mbyllen më dot.
Mund të hyjë kush të dojë.

SI S’TË DESHA PAK MË SHUMË

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prap s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…”.

TI DO VISH

Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se unë ty të pres
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet mbremjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmise
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di që unë po të mundja,
rreth vetvetes rruzullin do vërtitja
si një portokall’ në dorën time, –
të rrjedhë koha shpejt
e ti të vish…

TI DO T’MË DASHUROSH PATJETËR

Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër, –
Ti do të më dashurosh patjetër!

Në sytë e tu mijëra diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?-
Ti do t’më dashurosh patjetër.

Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen, –
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:

Ti do t’më dashurosh patjetër!

ATA QE DASHUROJNE AKOMA

Ata që s’kanë bukë,
kur të kujtojnë bukën,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata që s’kanë zjarr,
kur të kujtojnë zjarrin,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Të pagjumët e botës,
me syrin hapur si nata,
në mesnatën e tyre
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata që kanë vdekur
dhe dashurojnë akoma,
ty dhe mua le të kujtojnë.

GLORIA VICTIS (LAVDI HUMBESVE)

Sepse jemi ne humbësit e mëdhenj.
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.

Sepse ne, vetëm ne, dimë të gabojmë.
Ne gabojmë në miqësi, dhe humbasim.
Ne gabojmë në dashuri, dhe humbasim.
Ne gabojmë në shpresat tona, dhe humbasim
Zaret e bardhë të fateve tona
Ne i hedhim para – dhe vazhdojmë
T’i hedhim ato edhe mbasi ta kemi kaluar Rubikonin.
Të gjithë na kanë faj dhe askush.
Të tjerët vetëm fitojnë,
Ndërsa ne jemi populli humbës
I humbjeve të mëdha. Zemra jonë
Eshtë një mollë e artë dhimbjeje.
Nuk duam të njohim pushtetin e errët të smirës,
Dhe gabojmë, nuk e njohim
Lakminë akrep të pushtetit, dhe gabojmë.
Sepse ne-vetëm ne! Dimë të gabojmë.
Këmbët tona të zbathura janë ato gjethe vjeshte
Që bien dhe ecin në rrugë; shpirti ynë
Eshtë prej lënde të brymtë trishtimi,
Të gjithë mund ta vrasin.
Të tjerët jo, ata janë fitonjës të përjetshëm,
Ata s’humbasin kurrë, sepse
Kurrë nuk gabojnë.
Ndërsa ne gabojmë – ashtu siç dimë vetëm ne!
Artin e shkëlqyer të humbjes
Ne e kemi ngritur në fat.
Dhe i kemi kthyer krahët lavdisë fitonjëse.
Ne njohim vetëm lavdinë e popullit
Të humbjeve të mëdha. Sepse ne
– po vetëm ne!-
Jemi të vërtetë.

ELEGJI PER BABANE
Ti nuk je më.
As do të na shohësh,
as do të shohim,baba, më kurrë.
Ti nuk je më..
Emrin tënd e mori ky gur,
Vdekja – si vdekje ,
gjithmonë e dhimbshme,
gjithmonë e verdhë…
Me një kordhele
tufa kujtimesh në zemër na lidh.
Tufa kujtimesh
edhe elegjish.
Jam i trishtuar dhe më mori malli.
Dhe mbi trishtime e mall duke ecur,
ngjita rrugën e ngushtë të fshatit.
Shtyva derën e varrezës së vogël
dhe t’erdha te varri…
C’fjalë të pathëna do të më fiasësh?
C’fjalë të reja dëshiron të dëgjosh?
Prej këtij varri
tani, baba, c’do të më japësh?
Atë ditë të thatë janari:
përpara teje Halil Alija
e mercenari.
Prapa shtëpia në zjarr e flakë
Duart e tua në pranga,
plak i ngartë?
Erdha të marr
cfarë perket prei këtij varri.
Kujtime të dhimbshme.
Vuajtje krenare.
Ti mos më thuaj:
“Biro… ianë të trishtuara”.
Baba i gjorë!
Unë, pa ato,
do t’isha në jetë edhe më i trishtuar.
Dhe kur të vdes
s’dua asgjë
vec një varr të thieshtë.
Atje në bregdet,
ku nëpër net
bisedojnë yjet me qiparisat.
Dhe fjalë të kaltra
flet e shprëndan
deti matanë.
Fjalët që i njohim,
që i kuptojme,
unë
me babanë…

MARGARITE MOJ

… Shoqja ime, moj
me dy sy si nata të mëdhenj, të zez’,
me bukurinë tonë të virgjër
vdekjen po ushqejmë
se kjo tokë ka ftohtë
mardhi
e ka ngrirë
Dhe ne biem mbi të, porsi bllaca zjarri,
Futemi nën dhè porsi rrënjë ëndrrash,
Që të vijë pranvera,që të vijë behari,
Toka përmbi ne e balta të shkrijë,
Ëndrrat të shpërthejnë, si shpërthen bari.
Dashuria jonë
Me dy sy si nata çuditërisht të zez,
Nga plumbat armike prerë mes për mes
Dashuri e lindur,
Dashuri e rritur
Nën qiejt e thyer të varfërisë shqiptare.
Dashuri tragjike
Për botën e madhe.
Margaritë, moj
Motra ime, moj,
Shoqja ime, moj.

AKERONTI RRJEDH PO KARONT NUK KA
Si të kthehem prapa kur udhën s’e di?
Prej pikëllimi lumi buçitës i natës
E unë rrah brigjet e errëta këtu.
Akeronti rrjedh po karont nuk ka.
Tregomë një va ku te kaloj.
Ti i njeh guvat dhe vorbullat e frikshme.
Tregomë një va, vëllai im,
Ku të kaloj Akerontin
Dhe të arrij.
Akeront rrjedh po karont nuk ka.