“Jetë paralele”, është ekspozita e hapur së fundi në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica” në Fier. Në këtë ekspozitë u prezantuan për publikun mbi 40 punime në pikturë, vizatim dhe skulpturë.

Me pjesëmarrjen e 12 artistëve u ndërthuren gjini të ndryshme të artit bashkëkohor. Mes pjesëmarrësve ishin edhe pedagogë të Universitetit të Arteve si Gazmend Leka, Najada Hamza, Ardian Kapo dhe Artan Peqini. Ekspozita solli një aventurë të vyer të artit bashkëkohor ku bashkohet nostalgjia dhe kurioziteti hulumtues ndër vite i krijuesve.

“Me këto punime ne kemi ardhur me sensibilitet tona; secili ka zgjedhur atë pjesë të vetes. Nuk janë punë të reja, janë punë të cilat janë bërë ndër vite që tregojnë një lloj udhëtimi të jetës së secilit prej nesh’- u shpreh piktori Gazmend Leka.

Për drejtoreshën e Galerisë së Arteve në Fier, aktivitete të tilla janë një mundësi e mirë për të gjallëruar jetën kulturore dhe artistike të qytetit.

Një udhëtim në kohë i artit pamor vizual, piktura portretesh dhe skulptura ishin  pjesë e ekspozitës “Jetë paralele” në galerinë e Arteve në Fier e cila qëndroi e hapur deri në datë 8 maj./Xh.M