Dhjetori sjell Panairin e Librit në Fier, një ngjarje mbarëkombëtare e librit që po mbahet për 9 vjet me radhë.

Në edicionin e 9-të, panairi “Fieri 2022” do të organizohet në datat 15-18 dhjetor, nën moton “Unë jam, unë lexoj”. Dyert do të jenë të hapura çdo ditë nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 21.

Panairi i përvitshëm i librit në Fier mbledh bashkë shtëpitë botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, shkrimtarë, poetë, përkthyes dhe lexues, ku njihen me botimet e reja dhe një mundësi e shkëlqyer për të blerë libra me çmime të reduktuara.

Ky panair përshkruhet si ngjarja më e madhe kulturore e vitit në Fier, ndërsa konsiderohet si i dyti panair më i madh libri pas atij të Tiranës. Në përmbajtje, përveç librave dhe autorëve të rinj, do të ketë edhe prezantime, konkurse, konferenca shkencore si dhe do të ndahen edhe çmimet e panairit.

Panairi i parë i librit në Fier ishte panairi “Fieri 2014”, i organizuar Fondacioni Kulturor “Harpa”, nën drejtimin e shkrimtares dhe studiueses Majlinda Rama. Prej këtij viti ky organizim është mbajtur rregullisht, madje edhe në kohë pandemie, duke mos e shkëputur zinxhirin e një tradite të mrekullueshme që në Fier pritet tanimë si një festë e madhe e librit, ku marrin pjesë vizitorë nga të gjitha trevat shqiptare.