Mohammed bin Rashid është biblioteka më e re me vlerë 270 milionë dollarë e inauguruar në Dubai.
E ndërtuar në formën e një libri, biblioteka më e re e Dubait i jep publikut akses në qendrën më të madhe kulturore të këtij lloji në rajon.
Me raftet e tij të mëdha të librave, kjo bibliotekë prej 54,000 metrash katrorë ka kapacitetin për të mirëpritur 1,000 vizitorë në të njëjtën kohë, duke ofruar mbi 1 milion libra të printuar dhe dixhitale dhe më shumë se 6 milionë artikuj shkencorë.
Ndërsa Mohammed al-Murr i cili është punonjës i kësaj biblioteke e përshkruan vlerat e saj.
“Biblioteka e Mohammed Bin Rashid është biblioteka më e re në botën arabe. Ne u siguruam që në fillim që ajo të ishte një bibliotekë moderne dhe një burim njohurish , jo një bibliotekë tradicionale.”- thotë ai për agjencinë e lajmeve Reuters.
Në katin e shtatë të ndërtesës mund të gjenden “Thesaret e bibliotekës” një ekspozitë që shfaq një koleksion librash të rrallë dhe të vjetër, atlase, dorëshkrime dhe dokumente, disa prej tyre që datojnë në shekullin e 13-të.
Biblioteka gërsheton teknologjinë dhe inteligjencën artificiale për ta bërë atë sa më të aksesueshme, duke përfshirë edhe robotë për të ndihmuar vizitorët dhe një sistem elektronik të marrjes së librave.
Biblioteka Mohammed bin Rashid ka nëntë biblioteka të specializuara, duke përfshirë Bibliotekën e Përgjithshme, Bibliotekën e Emirateve, Bibliotekën e të Rinjve, të Fëmijëve, Koleksionit Special, atë të Hartave dhe Atlaseve, Medies dhe Arteve dhe Bibliotekën e Biznesit./Xh.M