◾Këshilli i OKB për të Drejtat e Njeriut ka votuar për ngritjen e një hetimi mbi akuzat për abuzime nga forcat ruse në Ukrainë. Përpara votimit, zëvendësministrja e jashtme e Ukrainës tha se populli i saj ishte përballur me “10 javë totalisht të tmerrshme”.
◾Udhëheqësit e Finlandës kanë njoftuar synimin e tyre për t’u bashkuar me aleancën e mbrojtjes së NATO-s “pa vonesë”.
◾Pushtimi i Rusisë ishte një pikë kthese dhe përmbysi dekada të mbështetjes publike për mos-angazhimin ushtarak, tha ministri i jashtëm i vendit për BBC.
◾Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se Finlanda do të “mirëpritet ngrohtësisht” në aleancë, ku anëtarët zotohen të mbrojnë njëri-tjetrin.
◾Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se “hapat jo miqësore” të ndërmarra nga Finlanda ishin shkak për keqardhje për Rusinë.
Mediave sociale u kërkohet të ruajnë provat e krimeve të luftës në Ukrainë
Katër ligjvënës demokratë amerikanë raportohet se u kanë dërguar kërkesë zyrtare CEO-ve të YouTube, TikTok, Twitter dhe kompanisë mëmë të Facebook-ut, Meta, duke u kërkuar që të “ruajnë dhe arkivojnë përmbajtje” që mund të përdoren si provë e krimeve të luftës ruse në Ukrainë.
Media amerikane NBC News thotë se ka parë një letër drejtuar CEO të Meta, Mark Zuckerberg, duke inkurajuar kompaninë e tij për të ndihmuar “teksa qeveria amerikane dhe monitoruesit ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut hetojnë krimet ruse të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe mizoritë e tjera në Ukrainë”.
NBC thotë se letrat janë nënshkruar nga Carolyn Maloney, Gregory Meeks, Stephen Lynch dhe William Keating. Ata mësohet se në mënyrë specifike i kërkojnë kompanive të mediave sociale të “ruajnë përmbajtjet që kanë prova të mundshme të krimeve të luftës dhe mizorive të tjera”.
Presidentja moldave: Tani për tani jemi të sigurt, por çdo skenar është i mundur
Në jugperëndim të Ukrainës, presidentja Maia Sandu ka kërkuar të sigurojë moldavët se nuk duhet të kenë frikë nga agresioni rus ndaj vendit të tyre në të ardhmen e afërt.
“Unë besoj se jemi të sigurt; tani për tani. Rusia nuk ka plane të qarta për këtë”, tha ajo për kanalin TVR Moldova.
Megjithatë pranoi se “çdo skenar është i mundur” dhe shtoi se do t’i njoftonte njerëzit nëse situata ndryshon.
Të martën, drejtoresha amerikane e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines i tha Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit të SHBA se Rusia synonte të ndërtonte një urë tokësore nga Krimeja në rajonin e shkëputur moldav të Transnistrisë. Por ajo theksoi se Rusia nuk do të ishte në gjendje ta bënte këtë pa mobilizim të mëtejshëm ushtarak.
Shpërthimet në Transnistria muajin e kaluar, një territor separatist i kontrolluar nga Rusia në Moldavi në kufi me Ukrainën, kanë ngjallur frikën për përhapjen e konfliktit përtej Ukrainës.
Autoritetet separatiste thanë se “infiltruesit” ukrainas ishin përgjegjës, por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky fajësoi shërbimet speciale ruse./klan.tv