◾Mbretëria e Bashkuar nënshkruan marrëveshje sigurie ku zotohet të ndihmojë Suedinë dhe Finlandën në rast lufte.

◾Boris Johnson deklaroi këtë të mërkurë se ‘NATO nuk përbën kërcënim për askënd’.

◾Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, thotë se Pentagoni nuk beson që Vladimir Putin do të donte të përballej ushtarakisht me aleancën e NATO-s.

◾Kievi bllokon tubacionin e gazit në Europë, që përbën 25% të furnizimit.

◾Bjellorusia dislokon trupa në kufirin me Ukrainën ndërsa Perëndimi rrit praninë ushtarake në zonë.

◾Rusia pretendon nga Polonia ndjesë publike, pas sulmit me bojë të kuqe ndaj ambasadorit të saj në këtë shtet.

◾Autoritetet pro-ruse në Kherson në Ukrainën jugore, do t’i kërkojnë presidentit Putin që rajoni të bëhet pjesë e Rusisë, raportojnë agjencitë shtetërore të lajmeve.

Ukraina propozon shkëmbim të trupave ruse me mbrojtësit e Azovstal

Kievi i ka bërë një propozim të ri Moskës, për trupat ukrainase të bllokuara ende në uzinën Azovstal në Mariupol.

Sipas asaj që shkruan Sky News, Ukraina i ka kërkuar Rusisë që të marrë në konsideratë shkëmbimin e trupave të plagosur rëndë në uzinën e qytetit jugor me të burgosurit rusë të luftës.

E fundit u propozua nga zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk këtë të mërkurë e cila tha se “Nuk ka ende marrëveshje. Negociatat janë duke vazhduar.”

Vereshchuk shtoi se qeveria po punon për një sërë opsionesh për t’i dhënë fund rrethimit të Azovstal, por pranoi se asnjë prej tyre nuk është ‘perfekt’.

Rusia pretendon që Polonia të kërkojë ndjesë për sulmin “me gjak” ndaj ambasadorit

Moska pretendon nga Polonia ndjesë publike për sulmin me bojë të kuqe ndaj ambasadorit rus në Varshavë, pak ditë më parë.

Sergej Andreev u sulmua nga njerëzit që protestonin kundër pushtimit rus të Ukrainës, gjatë kohës që shkoi për të vendosur lule në varrezat ushtarake sovjetike të hënën, duke shkaktuar një reagim të ashpër të Moskës.

Ministria e Jashtme e Rusisë thirri ambasadorin polak Krzysztof Krajewski në shenjë proteste.

Rusia pret një falje zyrtare nga udhëheqja polake në lidhje me incidentin dhe kërkon siguri për ambasadorin rus dhe të gjithë punonjësit e institucioneve ruse në Poloni”, thuhet në një deklaratë.

“Një vendim për hapat e mëtejshëm do të merret në varësi të reagimit të Varshavës ndaj kërkesave tona.”

Johnson: NATO nuk përbën kërcënim për askënd

Boris Johnson nënshkroi këtë të mërkurë një marrëveshje me Finlandën dhe Suedinë, që zotohet për të mbrojtur këto dy vende në rast se ushtritë e tyre sulmohen. Duke folur në Helsinki, ai përsëriti se NATO “nuk përbën kërcënim për askënd”. “Ajo është atje për qëllime të mbrojtjes reciproke“, tha ai.

“Pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar ekuacionin e sigurisë europiane dhe ka rishkruar realitetin tonë dhe ka riformuar të ardhmen tonë. Kemi parë fundin e periudhës së pas Luftës së Ftohtë dhe pushtimi i Ukrainës fatkeqësisht ka hapur një kapitull të ri.”

“Ky pushtim ka dështuar tashmë për dy arsye. Së pari, për shkak të shpirtit të pathyeshëm të popullit ukrainas që ka luftuar dhe ka rreshtuar botën pas tyre. Së dyti, sepse lufta ukrainase për liri, ajo luftë heroike, e ka bashkuar botën në dënimin e këtij sulmi ndaj vlerave tona dhe do të ishte e drejtë të thuhet se gjithashtu ka afruar Finlandën dhe Britaninë e Madhe sot.”

Duke u ndalur tek deklarata e sigurisë që vendet nënshkruan këtë të mërkurë Johnson tha se ajo “siguron se kombet tona mund të intensifikojnë partneritetin dhe ta çojnë atë në një tjetër nivel”.

“Forcat tona të armatosura do të stërviten, operojnë dhe ushtrohen së bashku, duke bashkuar aftësitë tona të mbrojtjes dhe sigurisë dhe duke zyrtarizuar një zotim se ne do t’i vijmë gjithmonë në ndihmë njëri-tjetrit” tha Johnson./klan.tv