Një prej festivaleve më të bukura të Pranverës, “Colour Day Festival” vjen për të katërtin vit radhazi në Tiranë. Këtë vit festivali i të gjitha ngjyrave do të vijë me një risi ku hyrja do të jetë falas për të gjithë pjesëmarrësit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka ftuar të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj feste të madhe e cila do të mbahet në datën 20 Maj në sheshin “Nënë Tereza”.

“Colour Day Festival. Festa e të gjitha ngjyrave, që bën bashkë të rinjtë pasionantë, ëndërrimtarë, ata që e duan të bukurën dhe janë në kërkim të lumturisë. 20 Maj – Sheshi ‘Nënë Tereza’ – Hyrja Falas”, shkruan Veliaj.

Në skenë do të performojnë disa nga artistët më në zë të momentit dhe DJ të njohur që do të krijojnë një atmosferë mjaft të këndshme në një spektakël të vërtetë ngjyrash.