Në mbrëmjen gala të Çmimeve Kombëtare “Harpa”, në edicionin e dhjetë të tij, është nderuar edhe diva e muzikës shqiptare, këngëtarja Aurela Gaçe.
Çmimi i akorduar nga Fondacioni Harpa, me presidente dhe themeluese, shkrimtaren e njohur, Majlinda Rama, iu dha këngëtares me motivacionin “Për talentin dhe fuqinë interpretuese, zërin e mrekullueshëm dhe energjik. Ka ndërtuar një fizionomi të veçantë në jetën publike, si një këngëtare që njeh vetëm suksese. Prej prej vitesh, mbetet nga më të dashurat për publikun e gjerë”.
Vetë këngëtarja e vlerësoi shumë këtë çmim, ndërsa arriti të krijonte një atmosferë shumë festive, me këngë, humor, ku nuk mungoi as kënga labe.
Kujtojmë se edicioni i dhjetë i çmimeve “Harpa”, mblodhi në mbrëmjen gala, figura të njohura të artit, kulturës, letërsisë, medias e politikës të ardhur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Ky eveniment i kthyer tashmë në një traditë, ka akorduar disa çmime, duke vlerësuar emra e personalitetet më të spikatura gjatë vitit 2022.
U vlerësuan me çmime artistët Viktor Zhusti, Kastriot Tusha, Josif Gjipali, Valentina Leskaj, Namik Dokle, Monika Stafa, Arta Marku, ndërsa çmimin e madh e fitoi akademiku Shaban Sinani.
Ceremonia e çmimeve kombëtare “Harpa”, është një ngjarje e rëndësishme kulturore, e kthyer tanimë në një traditë, e cila ka sjellë në vëmendjen e publikut emra, institucione e personazhe me kontribute të vyera në disa fusha të artit, kulturës e letërsisë.