Përmbylli sot rrugëtimin Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës, “Chamber Fest Durrës”, i cili ka sjellë artistë nga vende të ndryshme, që nga 28 qershori.

Muzika e bukur ka ardhur në mjediset e Muzeut Arkeologjik të qytetit të Durrësit, në këtë edicion të “Chamber Fest Durrës” i cili organizohej për të 17-ën herë.

Ashtu si dhe në edicionet e mëparshme, organizatorët sollën artistë të huaj e shqiptarë, ansamble nga më të mirët, të duartrokitur në salla të ndryshme në mbarë botën, vepra të përzgjedhura nga repertori i të gjitha periudhave të kompozitorëve të huaj dhe shqiptarë, si edhe vepra premierë.

Muzika e dhomës ka dalë edhe jashtë mjediseve të “Muzeut Arkeologjik”, sic ishte rasti i dy koncerteve të mbajtur në Kepin e Rodonit  me artistët austriakë të Wiener Kammersymphonie Quintet, Orkestrën e Studentëve të Universitetit të Arteve dhe Marco Ozbic.

Koncerti i fundit i “Chamber Fest” titullohet  “Muzikë dhome në bregdet”, me atmosferën vjeneze të valseve të Shtrausit, me interpretimin e sopranos Linda Kazani, nën shoqërinë e një kuarteti instrumentistësh; Erald Simixhiu në piano, Nevila Kalaja në violinë, Arben Llozi në violë dhe Pjetër Guralumi në violonçel.

Ky festival u organizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Durrës, Muzeut Arkeologjik, Universtetit të Arteve, Ambasadës Austriake dhe Ambasadës Sllovene./atsh/xh.m