Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta kërkoi sot që kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen, pasi sipas tj, “ka kompromentuar marrëdhënien e Shqipërisë me SHBA”.

Sipas Metës, Rama është i përfshirë në dosjen e ish-zyrtarit të FBI, McGonigal si pjesëtar i ndikimit të paligjshëm dhe korrupsionit.

Në një deklaratë për mediet, Meta tha se, opinioni shqiptar dhe mbarëbotëror është njohur me dosjen e ish-funksionarit të lartë të FBI, McGonigal dhe me lidhjet e tij të faktuara me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Ky është akti më i rëndë i historisë së pluralizmit shqiptar ku, Kryeministri i Shqipërisë të përmendet nga Prokuroria Amerikane si i përfshirë në akte korrupsioni ndaj zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, theksoi Meta.

“Edi Rama në mënyrë të drejtpërdrejtë, së bashku me bashkëpunëtorët e tij janë evidentuar qartë si pjesëtarë në akte korruptive dhe ndikimi të paligjshëm në “Çështjen McGonigal”. Edi Rama nëpërmjet korruptimit është përpjekur që të përdorë marrëdhëniet dhe komunikimin me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të goditur opozitën, për të zhbërë shtetin ligjor dhe për të siguruar fitime korruptive për veten dhe bashkëpunëtorët e tij”, u shpreh Meta.

“Edi Rama është i provuar botërisht se, me paratë e korrupsionit ka financuar trafikun e influencës dhe ka shfrytëzuar postin e tij për të mbajtur në mënyrë të paligjshme dhe mafioze pushtetin. Veprimtaria e tij për të manipuluar dhe përdorur një zyrtar të lartë të SHBA ka patur një qëllim të vetëm që përveç mbajtjes së pushtetit të garantojë investime nëpërmjet parave të pista ruse duke i futur ato si atavizma në ekonominë shqiptare dhe duke e vendosur Shqipërinë, jo në frontin e luftës kundër korrupsionit dhe trafiqeve, por në funksion të mbështetjes dhe përdorimit të tyre prej Edi Ramës”, tha ai.

Meta shtoi se, “fshehja e takimeve me Edi Ramën prej Mc Gonigal, si dhe përfshirja publike e bashkëpunëtorit të tij dhe ortakut të tij Rosini janë prova dërrmuese se, Edi Rama nuk përfaqëson asgjë tjetër veçse një mafioz të ulur në zyrën e Kryeministrit”.

“Është e qartë se, për Edi Ramën marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kurrë dhe nuk janë marrëdhënie vlerash, por marrëdhënie aferash. Edi Rama është njeriu që me qëllim dhe me strategji të mirëpërcaktuar ka kompromentuar këto marrëdhënie, është përpjekur t’i trondisë ato, është përpjekur të ulë respektin dhe dashurinë që shqiptarët kanë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në funksion të agjendave tashmë të vërtetuara pro-ruse të tij”, nënvizoi Meta.

Meta shtoi se, “dorëheqja e Edi Ramës është një veprim i detyruar pasi niveli i inkriminimit, kompromentimit dhe korruptimit të postit të kryeministrit është skandaloz dhe i paimagjinueshëm”.

“Drejtësia shqiptare duhet të ishte ngritur në këmbë me kohë përballë fakteve të tilla kaq tronditëse që implikojnë kryeministrin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Drejtësia shqiptare duhet të komunikojë intensivisht dhe ngushtësisht me drejtësinë amerikane për të zbardhur deri në fund të gjithë këtë aferë shtetërore që tashmë kalon edhe kufijtë e Shqipërisë dhe të hetojë e ta çojë Kryeministrin përpara Drejtësisë”, tha ai./atsh/ Revista TIME