Më 6 Dhjetor në Tiranë do të mbahet samiti mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një event i rëndësishëm që zhvillohet për herë të parë në vendin tonë dhe nën masa të rrepta sigurie. Por në të njëjtën ditë, Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të zhvillojë protestë, edhe pse policia nuk i ka dhënë leje për në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kryetari i PD, Sali Berisha thotë se protesta e 6 Dhjetorit do t’i tregojë Europës se Shqipëria ka një Kryeministër të rrezikshëm, të cilin Berisha e cilësoi “mafioz”.

Edi Rama është tmerruar nga protesta dhe të gjitha antenat e tyre, gazetat dhe portalet e tyre duan ta paraqesin sikur po bëhet kiameti më datën 6. Në datën 6 është triumfi i popullit opozitar që do i thotë Europës se ky Kryeministër është një mafie, është një mafioz i rrezikshëm për popullin e tij, se kjo qeveri është mafioze. Se vërtetë ju jeni në Shqipëri, por ato institucione perëndimore që vlerësojnë funksionin e shtetit ligjor kanë gjetur tani Shqipërinë që është, 53 vende nën Kosovën, sepse Kosova zbaton ligjin.

Nëse Shqipëria është 53 vende nën Kosovën, nuk ndalet me kaq, është 4 vende nën Vietnamin komunist. Pavarësisht se Aty është monizëm komunist, prapë zbatimi i ligjit është më i mirë se në Shqipëri sepse ligji për qytetarët nuk ekziston. Shkoni në gjykata, nuk fitohen procese kundër qeverisë më. Të gjitha i fiton me telefon Edi Rama me Engjëll Agaçin. Ky është dhe një motiv tjetër që ne duhet të jemi në datën 6 të protestojmë jo vetëm për veten tonë, por për çdo shqiptar”, u shpreh Sali Berisha.

Kryetari i PD këto deklarata i bëri gjatë një takimi me banorë të Njësisë 1 dhe 3 në kryeqytet.