Në konferencën e përjavshme për mediat, kryetari i PD-së Sali Berisha ka thënë se e ka falur Gerti Shehun teksa ka dhënë arsyet që sipas tij sulmuesi i tij në protestë, Gerti Shehu është porositur nga Kryeministri i vendit, Edi Rama.

Kryedemokrati ka thënë se pas sulmit ndaj tij është “Edi Rama dhe Ardi Veliu”, teksa ka shtuar se Gerti Shehu nuk është i sëmurë mendor, por është informator i Policisë Kriminale.

Gjatë fjalës së tij, Berisha ka thënë arsyet që sipas tij, pse sulmi ndaj tij “i ka interesuar Kryeministrit Edi Rama”.

 

Sali Berisha: Unë e kam falur kamikazin pa eksploziv të Edi Ramës, Gerti Shehun. Por debatet e shumta, lidhur me ngjarjen, më detyrojnë të jem sot këtu para jush për këtë çështje. Për të sqaruar opinionin se pse unë akuzoj direkt Edi Ramën si autor ose porositës të këtij skenari. Nuk e akuzoj Edi Ramën për motive dhe shkaqe politike. Jo. Deklaroj me përgjegjësi të plotë se çdo njeri që gabon, që akuzat e mia kanë këtë qëllim, mashtron veten dhe asgjë më shumë. Nuk e akuzoj aspak për faktin se policia nuk mbrojti protestën. Unë e akuzoj Edi Ramën sepse Gerti Shehu është informator i Policisë Kriminale me emër, mbiemër dhe kod, dhe është përdorur nga Ardi Veliu.

Ky informator është përdorur në dokumentet zyrtare për çmontimin e rrjeteve të drogës dhe si vesh për xhematin e xhamisë. Përhapja me shpejtësi e variantit të sëmurë psikik, dëshmon se Gerti Shehu është nën mbrojtjen totale të Edi Ramës, që ka porositur krimin e tij. Unë e akuzoj Edi Ramën sepse për pacientin e Edi Ramës dhe klientin e Ardi Veliut, nuk ekziston asnjë dokument zyrtar që të faktojë se është i sëmurë i papërgjegjshëm.

Përkundrazi ekziston vendim gjykate që e shpall ligjërisht plotësisht të përgjegjshëm dhe e dënon për goditjen e një personi tjetër. Çfarë e shtyn Edi Ramën të shpallë Gerti Shehun nga kriminel, në të sëmurë psikik, kjo merret me mend. I sëmuri i Edi Ramës dhe klienti dhe gjitoni i Ardi Veliut është aq i sëmurë, sa ka rinovuar patentën, që nuk u lëshohet kurrë atyre me probleme mendore. I sëmuri i Edi Ramës, klienti dhe gjitoni i Ardi Veliut, është aq i sëmurë, sa ka marrë kredi në banka, akt që nuk ndodh kurrë për një të sëmurë psikik.