“Po nis me shkrua pa fillim e ndoshta pa mbarim…” kështu e niste shkrimtari Çun Lajçi veprën e tij të parë në prozë “Bekimi i plisit të Moisut”. Tani me romanin e fundit, bindem se vepra të tjera kishte në mendjen e tij autori kur e nisi prozën e tij. Erdhi romani tjetër “Kur fryjnë erërat” e tashme së fundi romani “Bastardët”.
Artisti i madh mbarshqiptarë Çun Lajçi, hyri para 5 vitesh në fushën e letërsisë dhe deri më tani lexuesi ka ne dorë10 libra të tij në poezi dhe në prozë. Kjo tregon se ky artist me mbi 200 role të rëndësishme në skenë e në film, kishte në shpirtin e tij shumë gjëra për të na thënë, shumë ndjenja e ndodhi për të na treguar. Këto ndjesi aktori nuk na i thot më në tempullin e aktrimit, por ai na i trasmenton tashmë në një mënyrë tjetër plot art, jo më në skenë e në ekran por në letër, në libra. Aq shumë është i ngarkuar shpirti i tij me emocione sa nuk shterron së shprehuri, tamam si gurrat e kristalta të Rugovës ku lindi dhe që e don aq shumë. “Bjeshkët janë skenat e mia dhe teatri im”, kështu e shpreh autori dashurinë për vendlindjen që e shoqëron në gjithë udhëtimin e tij letrarë. Është një shpërthim i vrullshëm që vërshon pa u ndalur.
Frymëzimi i tij është origjina, historia, prindërit, paraardhësit e tij, kariera artistike, jeta e tij dinamike me vështirsitë dhe sukseset, me vuajtjet dhe lavdinë e tij. Në romanin “Bastardët” është autori që tregon për veten dhe njerëzit që e rrethojnë. Është një kronikan i jashtëzakonshëm. Autori tregon gjithçka. Nuk ka asgjë për të fshehur nga udhëtimi i tij legjendar. Unë si lexues dhe adhurues i Çunit po flas këtu në këtë cilësi, jo si ekspert i kritikës së artit të tij. Rrjedhshmëria e episodeve që rendit autori tregon për një kompozim mjaft të gjetur për rrjdhshmërinë që ka libri nga faqja e parë deri në pikën e fundit që mbyll romanin.
Romani“Bastardët” është një qasje krejt e ndryshme nga ajo që jemi mësuar të lexojmë, kjo është risia që Çuni i sjell prozës shqiptare. Është një stil krejt i veçantë, unik në letërsinë tonë. Një roman që mund të lexohet si një poemë e gjatë. Aftësia e jashtëzakonshme interpretuese e autorit na shfaqet edhe në stilin e të shkruarit. Herë herë kur lexoja librin mendoja se e lexuar nga autori i gjithë teksi do shijohej si një poemë e mrekullueshme me plot figura letrare. Gjuha e autorit është shumë e pasur, shprehitë e fjalët e përdorura, e pasurojnë dhe i bëjnë nderë gjuhës tonë si krenarinë më të madhe që ne kemi. Frazat poetike përshkojnë të gjithë tekstin që shijon dhe të përfshin në mbresa dhe emocione deri në fund. Për atë që nuk e kupton gjuhën që përdor autori ka gjetur një mënyrë për ta shprehur: “Ti që flet gjuhën e kanabisit, sigurisht se s’ma merr vesh gjuhën!”
Libri është plot histori dhe episode me personazhe real, ku autori është kronikan i ngjarjeve reale që i gdhend bukur, ëmbël, me art e finesë që përfshijnë disa dekada të realitetit ku ka jetuar. Autori përshkruan ngjarje sa ne Drelaj të Rugovës në Qakorr, sa në Prishtinë, në Prekaz në Tiranë e Shkodër e kudo edhe ne Europë e Amerikë ku ka shqiptarë. Është i vërtetë mes personazheve real ku me një memorje brilante na sjell dialogje origjinale si në një film ku vetë ai është aktori kryesorë. Nuk mungojnë në rrëfimet e tijë personazhe të shumtë, personalitete të kulturës tonë: Azem Shkeli i madh, Rikard Larja, Kujtim Çashku etj.
Pa përmenduar personazhet historike të Plavës e Gucisë dhe Lahutën e Fishtës që duket se autori e don fort. Në këtë libër materializohen dhe ngjarjet e rënda të luftës në Kosovë, kontaktet e dhimbëshme, dialogje të hidhura, përshkrime të skenave të djegura e të shkatrruara, që përshkruhen bukur e në mënyrë tepër të trishtë.
Shpërthimet e dëshpëruara që përshkojnë librin, autorit ja diktojnë bastardët, kopilat dhe stërkopilat që kanë marrë peng vendin. “Po më dhimset vetja që s’di cilin kopil me ndigjue”, “Shkruaj dhe hesht” – thotë autori. Politikanët e cdo ngjyre autori i shikon nga një këndvështrim të barazlarguar, nuk mban anë. Është i drejtpërdrejtë dhe i pa mëshirshëm. Me qëndrime konkrete të çështjes kombëtare sipas konceprit të tij, ai është jo tolerant dhe radikal në qëndrimet e tij. Ai rebelohet vazhdimisht.
E të gjitha këto i thotë me mjaft shpirtë, mjaft rrjedhshëm e kuptueshëm duke mos e fshehur dhimbjen e atdhetarit, artistit e shkrimtarit që Çuni ka nën lëkurën e vet. Me dëshpërim arrin në përfundimin për liderat e mëdhej të vendit: “S’dihet – thotë për ta – a flasin a pëllasin, se turit si nxjerrin prej strajcave me taxhi” . Autori nuk len pas dore dhe parinë e Tiranës ku i revoltuar për prishjen e teatrit shprehet: ”Ky shejtani me mjekër në Tiranë, po thotë, policia si ka rrah njerzit, veç i ka palue për tokë, me i lëmua, prej mallit që u rrëzua teatri!”
Por ndjenja që përcjell fjala e tij në roman është ulurimë buqitëse për këdo që e lexon. “Vetë po shkruaj,vetë po lexoj, vetë po shaj” – shprehet diku tjetër e ndërkoh Çun Lajçi po shëtit në të gjitha qytetet ku jetojnë shqiptaë për të shitur librat e tij. E unë kam një thirrje për këdo që lexon shqip: Blini librat e artistit shkrimtarë, por më e rëndësihmja lexojini ato. Mendohuni thellë mbi faqet e librave të tij dhe do kuptoni që ofshama e tij është dhe e juaja. Ai dhe kur bisedon me veten, na trasmenton mesazhe të mëdha. Meditimi i tij është sa i dhimbshëm aq dhe alarmant.
Gjej rastin këtu të komplimentoj botuesin e palodhur Abdullah Zeneli, njeriun që i ka kushtuar të gjitha energjitë dhe pasionin e tij si askush tjetër librit. Ai sivjetë feston 30-vjetorin e Shtëpisë Botuese “Buzuku” që vetë është themeluesi dhe promovuesi i qindra titujve që u ka dhënë dritë pikërisht dora, mendja e talenti i botuesit dhe shkrimtarit të spikatur Abdullah Zeneli. I uroj përjetësi “Buzukut” që ka një rol të jashtëzakonshëm dhe për botimin e veprës së plotë të deritanishme të Çun Lajçit.
“Burrë i mirë është burri i vdekun e lufta me bastardë s’përfundon kurrë” e mbyll këtë roman artisti dhe shkrimtari që spikat me stilin e tij krejt të veçantë të rrëfimit. Urime e me botime të tjera Mjeshtër Çun Lajçi!