Revista TIME do të jetë këtë herë me Baki Balën, njeriun e thjeshtë dhe, në pamje të parë, të zakonshëm midis nesh, por që mundi të kthehet në i jashtëzakonshëm! Aktiviteti tij i gjerë si ushtarak, politik dhe krijues vjen në një rrëfim ndryshe, krejt i hapur, emocionues dhe befasues. Intelektuali i pakompromisë, Baki Bala, na tregon se është edhe një njeri i madh, që diti ta mposhtë sëmundjen dhe ecën me forcë përpara, me optimizëm dhe dëshirë, krijues dhe me madhështi, duke u bërë një burim frymëzimi.  Ka botuar një roman të suksesshëm para një viti, por pasioni i tij për letërsinë nuk ndalet. Ai vjen për lexuesin shqipfolës me një roman tjetër, krejt të veçantë. Një roman autobiografik që paraqet sfidat, ëndrrat, uljet dhe ngritjet, dashurinë njerëzore dhe atë universale, një botë e madhe, që vetë autori i romanit e ka bërë aset të jetës së tij. Romani titullohet “Sikur ta dija” dhe vjen nën siglën e Shtëpisë Botuese “Agora”.

 

Bala, jemi kureshtarë të dimë se si mund të kenë bashkëjetuar tek ju disiplina ushtarake, ajo e një politikani, si Prefekt i qarkut të Fierit dhe së fundmi si shkrimtar?

Mbaj gradën akademike PhD dhe gradën ushtarake Kolonel, për kohën e shërbimit në ushtri. Kam botuar: Librin “Këndvështrim mbi Institucionin e Prefektit të Qarkut” në vitin 2019, Romanin “Marina” në vitin 2021, librin “4P e Procesit të Blerjeve” në 2023 dhe së fundi  romanin “Sikur ta dija”.  Veprimtaria ime si Ushtarak, Prefekt dhe së fundi në fushën e letrave, në pamje të parë vlerësohen si tre fusha guaskore, hermetike e të pa depërtueshme. Në këndvështrimin e ushtrisë kjo ndodh pasi në sytë e publikut ushtaraku vlerësohet thjeshtë si qytetar me uniformë dhe jo si një profesion që karakterizohet nga cilësi të spikatura karakteriale. Profesioni i ushtarakut është në përgjithësi i mbyllur për shkrimtarin apo politikanin, ndërkohë që këto të fundit janë të hapura për të gjitha profesionet. Shkrimtar nuk të bën arsimi që ke mbaruar. Ai të ndihmon dhe zhvillon imagjinatën. Historia ka treguar se ushtarakët kanë qenë historianë, romancierë, piktorë, muzikantë e studiues që kanë lenë gjurmë në fushën e artit. Kjo shpjegohet me faktin që çdo individ ka të shfaqur apo të fshehur, për një farë kohe, dhunti të tjera jashtë profesionit, të cilat ndërthuren me të dhe krijojnë impulse të bukura. Ky është edhe rasti im.

Ushtaraku është njohës i mirë i ambientit në këndvështrimin historik, politik, social, demografik, topografik, florës dhe faunës të cilat ndihmojnë në përshkrimin e veçorive artistike të tij. Ai e sheh terrenin si një fotograf që në të njëjtën kohë fikson funksionalitetin dhe veçoritë e tij.

Funksioni i Prefektit nuk është profesion. Ai të ndihmon më shumë për të njohur njerëzit dhe problemet e kategorive të ndryshme sociale. Kjo ka lenë gjurmë tek unë.

Individi për të shkruar një roman duhet të ketë përvojë jetësore, të ketë besim në vetvete, të ketë hobi në fushën e letërsisë apo artit dhe të dijë të analizojë ekuilibrat sociopsikologjikë në një mjedis të caktuar historikë e politikë. Këto cilësi më kanë ndihmuar për të marrë iniciativën e disa botimeve. Shkrimtar është fjalë e madhe, por shkrin e kam pasion që më jep kënaqësi më zhvillon imagjinatën dhe më bën të futem në karakterin e personazheve. Dëshira për të marrë iniciativën e shkrimit të veprës letrare komplekse si romani ka ardhur gradualisht.

 

A mendoni se fushat ku ju keni zhvilluar aktivitetin përgjatë jetës, kanë patur një fije lidhëse, a kanë qenë në luftë me njëra tjetrën apo e kanë ushqyer njëra-tjetrën? Cila fushë e aktivitetit tuaj ju ka furnizuar më tepër me energji dhe cila ju ka krijuar më tepër komfort?

Jetën ushtarake, pavarësisht për veçorinë e saj, e kam parë me idenë që në çdo rrethanë të krijoj ngjyrimin për kënaqësinë shpirtërore, duke krijuar ritmin për t’u zgjuar nga monotonia profesionale. Kjo ka shtuar dritëhijet në “peizazhin” jetësor për t’i bërë përjetimet të dallueshme. Njeriu edhe në shkretëtirë mundohet të krijoi oazin e tij. Oazi im u mbështet në fantazinë dhe imagjinatën që të zhvillon profesioni i ushtarakut dhe në hobet e mia: piktura, fotografia dhe shkrimi. Piktura dhe fotografia më ka edukuar shijen e të veçantës për kapjen e momentit, që shfaqet vetëm një herë dhe fokusi tek detajet. Thelbi i një romani është një tregim apo ese e cila shtjellohet, jo vetëm në një plan, por në shumë plane ku personazhet krijojnë lidhje të ndryshme.

Profesioni i ushtarakut dhe detyra e prefektit ka sa fije lidhëse aq dhe kundërshtuese me shkrimin letrar. Zhvillimi i imagjinatës, njohja e teknikës së shkrimit akademik, përvoja jetësore janë ingredient, që për të “gatuar” një roman, dhuntitë në fushën e artit dhe pasioni, i lidhin ato me njëra tjetrën. Një nga faktorët pengues është impenjimi që kërkon jeta ushtarake.

“Në planin personal kam tre vjet që përballem me një sëmundje komplekse. Kam gjetur forcë dhe mbështetje tek familja. Duke përballuar këtë sfidë në mënyrë graduale më është rritur vetëbesimi, i cili është një vlerë cilësore e cila më është shndërruar në karakteriale”.

 

 Përgjatë aktivitetit tuaj publik dhe personal, a keni patur ndonjëherë faza të vështira dhe të ndërlikuara, dhe në cilën fushë kanë qenë ato më të vështira për t’i përballur?

Karriera e gjatë në jetën ushtarake dhe publike ka të kristalizuara mjaft sfida me të cilat i kam jetuar e përjetuar. Më plagëlënëse janë ato ngjarje, që ske fuqi të reagosh. Përpiqesh por suksesi nuk varet nga ti. Të tilla kanë qenë metamorfoza e shtetit në fillim të viteve 90′, revolta e vitit 1997. Sfiduese ka qenë veprimtaria e Forcave të Armatosura në kufirin verior gjatë bombardimeve të NATO-s mbi Sërbi dhe gjatë kohës si Prefekt i Qarkut Fier, menaxhimi i emergjencave të përmbytjeve ka qenë sfidë ku në suksesin e saj ka ndikuar pjekuria e mbrujtur gjatë përvojës jetësore dhe qëndrimi si shtetar dhe jo si partiak.

 

Kur shpërtheu vullneti juaj për të shkruar? Çfarë u bë shtytje e pare për të nisur një rrugë, sa të bukur, aq edhe të vështirë, rrugën e shkrimtarit? Cilat kanë qenë krijimet e para tuaja dhe në cilën gjini?

Shkrimi profesional, sidomos për ushtarakët e gradave të larta, vjen natyrshëm nëpërmjet procesit “Lessons Learned”, hartimit të rregulloreve, procesit të mbrojtjes së gradës shkencore, botimit të artikujve në revista brenda dhe jashtë vendit. Unë kam kaluar në të gjitha këto faza. Natyrisht duhet të kesh dhunti, e cila ka qenë brenda meje dhe është zhvilluar.

Megjithatë këto punime, në formën e prozës, nuk kanë ngjashmëri me shkrimin e një romani, pasi janë shkrime që dallohet nga terminologjia e ngurtë, me figura të pakta letrare, mungesa e emocioneve të shkruesit dhe ekzistenca e referencave të burimeve. Mungon lirshmëria e autorit. Një lidhje e ngushtë e shkrimit akademik dhe letërsisë është shkrimi i një Analize Letrare.

Shkrimi akademik më ka ndihmuar për të strukturuar dhe zhvilluar një ide, e cila është e përbashkët në çdo disiplinë letrare. Shkrimet dhe botimet e para janë dy monografi dhe libri profesional Këndvështrim mbi prefektin e qarkut.

 

Si e keni përjetuar inspirimin dhe guximin për të shkruar një roman? Cilat kanë qenë sfidat me veten, për të përballuar një vepër kaq komplekse si romani? Kemi parasysh që ju njiheni si autor i romanit “Marina”, që tërhoqi vëmendjen e kritikut të njohur, akademikut Ali Aliu, por jo vetëm, ai u prit shumë mirë në panairin e librit të një viti më parë në Tiranë.

Romani Marina është si një shpërthim ndjenjash të fshehura brenda meje si në gjendje të përgjumur që donin një ngacmim emocional të fortë. Fillimisht bëra një tregim. Bashkëshortja dhe vajzat tona u emocionuan dhe në kor thirrën: “bëje roman”. Duke parë gjendjen time kritike për jetën nga një sëmundje e rrallë, që po më çonte drejtë fatalitetit, mua më ushtuan veshët sikur thanë: “Babi duam të na lesh një roman si kujtim”. Pa u menduar gjatë thashë: “Po”. Ato më bënë dhuratë një kompjuter, të cilën unë e konsiderova si konçesion për romanin.

Një roman kërkonte më shumë ndjenjë, ngjyrim e harmoni rrethanash. Nuk do ishte me fjali standarde që fokusohen te kuptueshmëria e jo tek ndjenja. Ndoshta, mendova do më ndihmojë fakti që hobi im është piktura, fotografia dhe poezia. Secila prej tyre shikon përtej realitetit. Fokusojnë momentin e papërsëritshëm ashtu si përzierja e bojërave në pikturë, të cilat kur i përsërit afrohen, por   nuk janë identike.

Unë shkrimin e një romani e mendoja një frymëzim e jo “Babi bëj një roman”. E kisha përfytyruar të shkoja në një vend të qetë, që i përshtatet subjektit, për shembull në verandën e shtëpisë në fshat ku lulet, zogjtë, mjedisi i gjelbëruar, zgjimi me këngën e këndesit, lehja e qenit, troku i kalit e melodia zilekëmborë ishin një realitet dhe jo fantazi. E mendoja që herë pas here të ftoja miq që i doja me zemër në një gosti të thjeshtë dhe të këndshme para mishit mbi prushin e barbeque, një gote verë nën aromën e kulaçit që del nga afshi i furrës me dru. Nga të gjitha këto, unë thuajse nuk kisha gjë. Gjendja ime shpirtërore, pas diagnostikimit me një sëmundje fatale, gjendja fizike, e cila po shkonte drejt paralizës, ishin pengesa reale.

Krijova një “buqetë” të përvojës jetësore të cilën e projektova të qartë në koshiencën time. Nga ushtria mora vullnetin dhe imagjinatën, mora hobit e mia, pikturën, fotografinë dhe poezinë dhe përvojën e gdhendur jetësore. Nga funksioni i prefektit mora këndvështrimin social dhe nga vendlindja karakteret e personazheve. Buqeta dukej sikur më tregonte rrugën.

Jam falënderues për vlerësimin e Akademikut Ali Aliu, i cili vlerëson: “Zgjedhja fabulare në romanin ‘Marina’, është një dëshmi narrative e qëndrueshme dhe vjen në frymën e mëtimeve për të qenë sa më origjinale. Autori rrëfen pa menduar kufijtë e strukturës romanore si dhe është i shkompleksuar nga konvencat…. Është një roman që lexohet me ëndje deri në fund, me një histori dashurie që, transmeton vlerë duke u treguar si e një shkuar e mbyllur në dryn”.

 

Meqë përmendëm romanin “Marina”, si filloi faqja parë e këtij libri? Cili ishte synimi juaj, për arritur në fund të romanit, në faqen e fundit të tij? Dhe a mendoni se e keni realizuar në çdo element dhe komponent, synimin dhe realizimin tërësor të tyre?

Romani “Marina” bazohet në histori të vërtetë. Ai mbështetet mbi analizën: “Të shkuarën që nuk e njohim, a duhet ta konsiderojmë? “Ndriçimi i të shkuarës zbuloi një situatë komplekse, e cila gradualisht shkoi drejt acarimit të skajshëm të dashurisë të dy të rinjve. Ajo solli ndryshime dramatike. Gjithashtu mundësoi jo vetëm njohjen e të shkuarës, por hodhi dritë edhe mbi shpjegimin e sjelljes dhe karakterit të personazheve.

Në faqen e parë paraqita një gjendje emocionale të rënduar të personazhit kryesor, e cila u qartësua në faqet e fundit.

Mendova për metodologjinë e ndërtimit të një romani, llojin e narratorit që do të zgjidhja, mënyrën e ngritjes së konfliktit zhvillimit dhe zgjidhjes, periudha historike dhe politike, vendet, mesazhin që do të jepja, dialektin e trevave dhe doket e zakonet. Pemën e informacionit, që kam përdorë në ushtri për të projektua zgjidhje e shndërrova në Pemën e librit si një udhërrëfyes. E vendosa veten në rolin e personazhit kryesor, në fillim të Shekullit të XIX dhe në psikologjinë e sjelljes së individit në kushtet ekstreme të presionit të sjelljes njerëzore. Marina suksesin e ka në mënyrën e rreshtimit të ngjarjeve që krijojnë kërshëri, emocion e dramacitet. Është një ngjarje e mbyllur në dryn për tërë jetën. Dalja e saj prej “drynit” befason dhe përligj rëndësinë njohjes së të shkuarës për të kuptuar të tashmen. Botimi i romanit të parë kërkonte, jo vetëm kurajë por edhe mbështetje, të cilën ma dha zonja Majlinda Rama, shkrimtare  dhe studiuese  letrare.

 

Romani i dytë “Sikur ta dija”, duket se do të jetë përsëri një goditje në shenjë nga ju… Çfarë mund të thoni me disa fjalë për subjektin e tij?

 Romani “Sikur ta dija” bazohet në histori njerëzore ku personazhet kryesore, Roberti dhe Ana, përballen me një sfidë jetësore që u shkërmoq ëndrrat, por jo dashurinë. Romani ka një harmoni midis rrugëtimit profesional, dashurisë dhe sfidës familjare, duke përcjellë shpresë. Roberti, i ndodhur në qendër të vorbullës jetësore, bëri pjesë të tij mësimin: “Situata, mund të çojë në ndryshim dramatik të përjetimeve, por në çdo rrethanë lufto për jetën”. Mos u dorëzo!

 

Pas romanit të dytë, cilat janë synimet tuaja për krijimtarinë e re? Poezia, çfarë vendi zë tek ju dhe nëse po e lëvroni edhe këtë gjini, a do të ketë për lexuesin ndonjë befasi të tillë?

Poezia është nostalgji që më çon në moshën e adoleshencës me përjetime impulsive që kanë lënë gjurmë. Poezi shkruaj edhe tani, sidomos fabula. Shpesh pyes veten: Pse poezia ka filluar të bëhet gjini letrare e dashur për mua. Përpara syve më del poeti Petrit Ruka, sikur zbret nga yjet, i cili ka thënë se proza planifikohet të shkruhet, ndërsa poezia lind në mënyrë të beftë nga një brengë apo emocion i fortë. Poezia është frymëzim i çastit.

Këtu unë e gjej veten për të përjetësuar në vargje emocionet. Botimi im i radhës do të jetë libër me poezi, i cili do shprehë më mirë botën time të brendshme. Poezia ime i ka të gjitha shijet dhe ngjyrat, e cila nuk të vel, pasi të fut në mendime.

 

Një pyetje e fundit dhe delikate: si e gjeni dhe e mbroni forcën dhe vullnetin për të shkruar, duke qenë se siç jemi në dijeni, ju po kaloni një fazë jo të lehtë shëndetësore? Çfarë ju mban “në formë” njerëzore dhe krijuese? Çfarë ju bën të fortë? Ka një mesazh Baki Bala?

Jeta është e bukur. Ja vlen të luftosh për të edhe kur ndodhesh në kryqëzimin e saj. E rëndësishme është të mbash shpresën zgjuar, ku pas tunelit të mendosh se ka dritë apo i ndodhur në një stuhi detare, ka një far që orienton. Kjo është situata ime. Romani “Sikur ta dija” është i veçantë jo vetëm për subjektin, por së pari për sfidën e të shkruarit. Ai është shkruar në kushtet shtrirë në krevat, i paralizuar. Janë shkruar 430 faqe në tastierën e telefonit vetëm me gishtin e madh të njërës dorë, pasi gishtat e tjerë janë të atrofizuar.

Shkrimi i një romani, një poezie apo hedhja në telajo e një pikture në akrilik apo vaj është më shumë se një vepër artistike. Ajo ka të kristalizuar një histori të tërë apo një simfoni që i këndon sfidës dhe dashurisë për jetën.

Njeriu në çdo rrethanë nuk duhet të ankohet për të pakthyeshmen por të luftojë për të mundshmen. Çdo njeri ka ose gjen një motiv për fillimin e ditës së re. Dikush shkon në punë, shkon në shkollë, në çerdhe e kopsht e të tjerët vrapojnë apo e nisin ditën me një kafe. Unë bëj atë që më ka mbetur. Shkruaj nga krevati apo karroca me ndihmën dhe kujdesin e bashkëshortes dhe frymëzimin e vajzave tona.