Artur Mahmutaj prezantoi kandidaturën në primaret e Partisë Demokratike për bashkinë e Fierit.

Në një konferencë për mediet, Mahmutaj tha se do të kandidojë në primaret e PD-së dhe do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve që do të dalin nga këto primare brenda PD-së.

Ai tha se Fieri si qytet ka një potencial të jashtëzakonshëm, i cili prej shume vitesh është keqmenaxhuar qëllimisht, duke mos prodhuar asnjë të mirë për qytetaret, por vetëm duke i shërbyer qëllimit të vetëm të “Rilindjes”, shpopullimit të vendit dhe nënshtrimit të atyre që mbesin këtu.

“Puna në ekip, shkëmbimi i ideve, pranimi i mendimeve ndryshe, përfshirja e ekspertëve në vendimmarrje, përfshirja e të rinjve në qeverisjen lokale dhe qendrore, këto e shumë të tjera, janë thelbi i të pasurit një demokraci funksionale. Gara e hapur për këdo që ka dëshirë e guxim të garojë është tregues që jemi në rrugën e duhur dhe garantojnë pikërisht demokracinë e brendshme në PD. Personalisht zotohem se do të pranoj dhe respektoj rezultatin e zgjedhjeve që do dalin nga këto primare brenda PD-se, jam besimplotë se kushdo qoftë kandidati që do të ballafaqohet në betejën e vitit 2023, gëzon respektin dhe mbështetjen e bazës dhe bashkëqytetarëve të Fierit”, tha ai./atsh/Revista Time