Diten e Enjte datë 5 Maj Galeria e Arteve ” Edward Lear” çeli ekspozitën personale  “Ngjyrat dhe Trajtat” të artistes nga Kosova Adriana Nimani Kutllovci.

Kjo ekspozitë, manifeston më së miri pikturën në pëlhurë, pikturën digjitale, posterin artistik, grafikën dixhitale si dhe vizatimin. Dallohen qartë kompozicioni, vizatimi, ngjyrat dhe ekspresioni, të cilat manifestohen fuqishëm në të gjitha krijimet e artistes.

69 veprat e kësaj ekspozite dominohen nga gamat sinjifikante koloristike. Karakteristikë e përgjithshme e këtyre kompozicioneve është ndjeshmëria estetike e implementuar me një kulturë të theksuar figurative.

Figura të shquara të artit beratas e kosovar, drejtues të pushtetit vendor dhe qytetarë berates ishin te pranishem në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozite. Drejtori i Galerisë së Arteve “Eduart Lear”, Agron Polovina ka theksuar se, kjo galeri për vite me radhë ka mbështetur e promovuar artistë vendas e të huaj. Për autoren e kësaj ekspozite Adriana Nimani Kutllovci, ai theksoi se vjen nga një familje arti, nga një familje me kontribut të rëndësishëm artistik e kulturor në Kosovë, Shqipëri e më gjerë.

Vetë autorja e kësaj ekspozite, kosovarja Adriana Nimani Kutllovci, ka shprehur kënaqësinë që këtë ekspozitë të saj e ka çelur edhe në Berat, në qytetin e UNESCO-s.

Për të gjithë artdashësit ekspozita e piktores kosovare Adriana Nimani Kutllovci do të qëndrojë e hapur deri në datën 20 maj./Xh.M