Jemi dëshmitarë të një kthese të papritur epiko-dramatike, krahasimisht e plotë ndoshta me ngjarje të tilla si Kryqëzimi Krishtit dhe gjithë katarsi spiritual me përhapjen më të madhe historike në çdo fushë njerëzore, që i dha të drejtën kësaj kthese “reformatike-revolucionale”, të masë kohën e hapave të shoqerisë njerëzore drejt një kahu tjetër, madje duke e quajtur Para apo Pas Krishtit. Nuk do jetë çudi aspak, nëse njerëzimi, dmth ata që menaxhojnë zhvillimin dhe japin Trend-in e kësaj shoqërie, “të plotfuqishmit” (pa asnjë nëntekst konspirativ), pas disa vitesh do fillojnë të masin kohën (vitet, shekujt), hapat e njerëzimit me termin Para/Pas Covid (që do konsiderohet si Epokë evolucioni e shoqërisë njerëzore në zhvillim).

Fatkeqësisht, kur konsiderojmë përqasjen e Pandemisë me Artin e Kulturën e shoqërisë, pavarësisht se çdo shtet e quan zhvillimin e tyre një prioritet në zhvillimin e ruajtjes së Identitetit dhe trashëgimisë së secilit shtet apo anëtar i BE-së dhe atyre që janë në rrugën e integrimit në BE, mund të thuhet pas konstatimit të uljes te investimeve dhe fondeve ne dispozicion që hidhen në këtë fushë, se ritmet janë në regres dhe në shkurtime deri drastike, kur flasim, fjala vjen, për Italinë, anëtare e BE-së dhe vend thellësisht me identitet të fortë kulturor e artistik. Nuk është shumë e domosdoshme të flasim për vendet e Ballkanit në përgjithësi e në veçanti vendet e Ballkanit perëndimor, ku bën pjesë dhe Shqipëria.

Në raport me Pandeminë Covid 19, Arti e Kultura janë fusha në dyshim dhe në një udhëkryq të madh në lidhje me mundësitë e fondeve financiare, për të vijuar normalisht (pas kalimit të Pandemisë) dhe me pretendimin që, rifillimi të jetë aty ku u ndërprenë aktivitetet nga ky shkak, duke pretenduar rritje, pasi 2019-2020 kanë qenë vite në rrënim dhe ulje expotenciale të fondeve në këto fusha.

E vetmja shpresë, mendoj, që duhet të na japë motiv, është lidhja e fortë e konceptuar edhe si prioritet në BE dhe në gjithë botën, është lidhja e fortë e turizmit me kulturën dhe artin, duke na dhënë binomin turizëm-kulturor, si një instrument tepër i fuqishëm për zhvillimin e një vendi në çdo cep e aspekt të tij. Pavarësisht, pasojave tepër shkatërruese e dëmeve rrënuese të pallogaritshme që ka pësuar turizmi në Pandemi në dy vitet e fundit, me rimarrjen dhe largimin e Pandemisë, pritet fuqishëm që Bankat dhe shtetet të investojnë shuma të pallogaritshme, për ta rimarë jetën normale një fushë kaq prioritare në zhvillimin e shoqerisë njerëzore.

BE me programet financiare për zhvillim, si programet IPA cross-border, Med, Creative Europe, apo dhe në programet financiare direkte që ka secili vend në raport me BE, prioritet i ka dhënë Turizmit, që lidhur me Artin e Kulturën, ka akse e zëra të veçantë fondesh, ku pavarësisht se prioriteti i jepet turizmit, gjen vend shumë mirë edhe Arti e Kultura, që të lidhura fort me Turizmin, janë një instrument tepër i fortë për zhvillim.

Faktikisht, dëmi më i madh dhe formatimi i një Reforme eksigjente e në ndihmë të Kulturës në vendet e BE, Amerikë, e kudo gjetkë, është dëmtimi i impaktit të drejtpërdrejtë të impaktit të njeriut, publikut, artin e artistët, aty ku ai përcillet, në ambiente të mbuluara apo në ambiente të hapura. Këtu pikërisht qëndron dhe çështja thelbësore që pothuaj shkatërroi gjatë gjithë vitit 2019 dhe pritet që deri në shtator të këtij viti, çdo aktivitet artistik/kulturor të mos zhvillohet në masë, pra në ambiente të çfarëdolloji. E sigurisht, duke u ndalur vetëm në këtë fakt, mjaft të kujtojmë se Teatrot skenike, ata antikë, apo çdo lloj tjetër ambienti në masë për aktivitete artistike e të çdo gjinije skenike, në Amerike, BE, Kanada, Rusi, Kinë, etj., etj., qëndrojnë të mbyllura ende nga vjet, kur u morën përsipër masat e para drastike ndaj Pandemisë, dhe që parashikimi flet që vetëm nga shtatori-dhjetori i këtij viti, të rinisë jetë në mbijetesë, edhe Arti e Kultura. Teatrot më të mëdhenj operistikë, si Metropolitan (Neë York, bashkë me teatrot e qyteteve të tjera), Opera e Berlinit, Gjermani, së bashku me sishoqet e saj, Scala e Milanos (Itali, e gjithandej në Itali), Balshow Teatër (Moskë e kudo tjetër në Rusi), Australi, apo kudo tjetër vend, kanë filluar propogandimin e rihapjes se madhe, muajt shtator-dhjetor, por me një pikëpyetje të madhe brenda, sepse akoma nuk po përcaktohet një Trend i vërtetë i uljes së Pandemisë Covid 19, kur paralajmërimet e OBSH po flasin për mutacionet e virusit, në forma të tjera të së njëjtës familje SARS-Covid dhe, kur më tepër, vaksina e prodhuar në formë urgjente si kërkesë e domosdoshme në këto situata që jemi, nuk mund të përcaktohet nëse do jetë po aq efikase e influente si në rastin e Covid 19.

Duke ardhur në problematikën shqiptare, sigurisht që në këto kushte, pavarësisht se mund të kritikosh shumë nga mëngjesi deri në mbrëmje mbi çfarë rrugësh apo tendencash po zhvillohet Arti e Kultura, ke pak çfarë të thuash, sepse dihet ajo që, kohët e tilla të kushtëzuara nga pandemi globale ndikojnë dhe godasin më tepër sektorët e dytë që bota mbarë i konsideron si ekzistencë për shpirtin dhe jo për jetën njerëzore. Prandaj, duhet që institucionet ta rishohin edhe njëherë këtë politikë të madhe që ka lidhje veçanërisht me mbijetesën e shoqërisë, sepse individi mund ta kalojë çdo sfidë vetëm nëse e ka shpirtin plot, gjë të cilën e mbush vetëm arti dhe kultura.