Pas arrestimit të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Gazment Bardhi i ka thënë ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, se do të ishte në nderin e saj që të japë dorëheqjen.
Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Bardhi, i ka kërkuar ministres Manastirliu që të tregojë me fakte që nuk është pjesë e aktit korruptiv.
Gazment Bardhi: E keni të pamundur që të mohoni faktet që SPAK-u ka sjellë në rastin e tenderit, Ministrinë e Shëndetësisë. A na mjafton ne ky rast i SPAK-ut? Absolutisht që jo. Në vend që ta sulmojmë, duhet ta inkurajojmë. Nuk ka asnjë shpresë tjetër që diçka në këtë vend të ndryshojë për mirë. Mbi 80 për qind e shqiptarëve shohin korrupsionin si problem kyç.
Pyeteni dhe ju Sekretarin tuaj të Përgjithshëm, jo atë të arrestuar për normën e gjobave në ministrinë tuaj. Nëse, nuk je e kënaqur prej tij, pyet Sekretaren e Përgjithshme të paraardhësit tënd, njerëzit e tij i lëviznin paratë e korrupsionit me thasë nga njëra shtëpi në tjetrën, derisa përfunduan në shtëpitë e sanitareve.
Zonja ministre e Shëndetësisë, si ka mundësi që heshtët për skandalin në ministrinë tuaj duke mos u distancuar nga aktet korruptive të bashkëpunëtores tuaj më të afërt. Ju në fakt dëshmoni se korrupsioni i Sekretares tuaj të Përgjithshme nuk është një rast i izoluar, ju tregoni se ju jeni pjesë dhe i shërbeni një sistemi të kalbur nga korrupsioni. Do të ishte në nderin tuaj të jepni dorëheqjen, të tregoni me fakte se nuk jeni pjesë bërë pis, të tregoni se e mbështesni drejtësinë dhe i jepni rrugë drejtësisë për ta hetuar deri në nivelet më të larta.