Profesor, jeni një ndër zërat e parë të kritikës letrare dhe vazhdoni të mbeteni zëri më serioz në botën shqiptare, ndërkohë që sot nuk ekziston një institucion i kritikës letare dhe mesa duket, shumë pak të rinj kanë dëshirë të merren me këtë fushë, si e shihni letërsinë pa kritikë?
Është një problem i veçantë ky. Kritika është një zhanër gati periferik, ka pak lexues, më pak se proza dhe poezia, nuk është si vëmendje e vecantë e mediave dhe me të po merren shpesh krijuesit e talentuar që u kushtojnë vëmendjen kolegëve të tyre. Pra, është shpërndarë si zhanër. Nuk është e përqëndruar vetëm në disa emra apo disa individë por jo që nuk ekziston. Kjo që thoni ju ndoshta kanë qenë karakteristikë e brezit tim.

Një jetë i jeni dhënë kritikës. Keni shkruar, vlerësuar, dhënë mendime për shumë autorë shqiptar, donim t‘ju pyesnim, cili është mendimi juaj për shkrimtarin Ismail Kadare? Çfarë e ka shkëputuar atë aq shumë atë nga të tjerët?
Gjatë qëndrimit tim, ditëve të panairit në Fier, në shtator, një gazetar i një televizioni të Tiranës, ndër të tjera më pyeti se çfarë mendoj për Ismail Kadarenë si shkrimtar. Vetëm disa ditë para asaj kisha dëgjuar një emision televiziv, te Mustafa Nano, një bisedë tërheqëse me poetin Sadik Bejko dhe tridhjetë minutat e tyre atë natë ishin të rezervuara për Ismail kadarenë. Ishte një bisedë shumë interesante dhe, do të thosha, me plot elegancë, natyrisht mbisundonte në atë bisedë opinioni që Kadare është shkrimtari më i madh dhe kjo të gjithëve na bën të ndihemi krenar, por unë kisha një vërejtje për atë bisedë. Natyrisht, jemi dakord që është më i madhi por në një zhanër, në një fushë tjetër siç është poezia, ne kemi edhe të tjerë poetë të mëdhenj, në mos, edhe me të thellë e me të artikuluar se Kadare (flasim për poezinë). Përmend me këtë rast poetët Fatos Arapi dhe Azem Shkreli. Pra, që të jem i qartë, le të krenohemi me Ismail Kadarenë si romacier i madh, por duhet ta shohim më gjerë letërsinë. Sepse është në prozë por jo ne poezi në të njëjtin nivel. Më bie ndërmend këtu një detaj gjatë ditëve të mia si studentë në Beograd. Në orët e letërsisë jugosllave, profesori fliste për poetin e madh, Njegoshin e përmendte ‘Kurora e maleve‘ që e shihte me të drejtë si kryevepër, por po ashtu si kryevepër solli edhe ‘Vdekja e Smajl Ancengiqit‘ e Maxhurovic. Ai u ndal tek analiza e strukturës poetike, por ajo që më mbeti në mendje ishte fraza përmbyllëse e ligjëratës: “Kur kemi dy maja letrare, pse duhet të bëjmë një”. Mua m‘u duk shumë e gjetur kjo, edhe si synim, edhe si urti, fundja edhe sipas bindjeve të mia, në rastin tonë, ne kemi poetë (këta dy që përmenda më sipër) të një lartësie të këtyre majave, pse të mos e themi këtë.

Të jemi më të qartë, po bëni një krahasim mes poezisë së Kadaresë dhe Fatos Arapit apo Shkrelit që përmendët më lart? Ku i shihni përparësitë e poetikës së Arapit dhe Shkrelit?
Lloji i poezisë së Fatos Arapit është lloji i një poezie të një mendimtari, jo të një filozofi në kuptimin doktrinal, por poezia, si ajo e Fatosit, ashtu edhe e Azemit është e kësaj natyre, aty mendimi artikulohet. Është mendimi i rëndësishëm, i madh, i thellë që arrin të bëhet aq lirik. Nuk është poezi në kuptimin filozofik si poezia e Holderlinit apo Nices, është një lloj poezie e tipit të Kavafit apo të Rilkes, që është një poezi thellësisht e mendimit dhe ka me vete petkun e përsosur artistik të lirikës, të emocionit… Te Fatos Arapi kemi një varg poezish që lidhen me figura mitologjike antike, njësoj si te Kavafi, bie fjala. Dhe ai i sprovon, i sfidon, p.sh. edhe Homerin, por edhe figurat, personazhet te Homeri, Akilin, fjala vjen për të cilin thotë që më dhimbset, më emocionojnë lotët e tij për shokun, por nuk e do Akilin që vret Hektorët, e në këtë frymë thotë, Homeri është i verbër, por i sheh qartë lotët e Akilit ose për Itakën, Odisenë është krejtësisht një përspektivë, nga e cila ai e përjeton në mënyrë krejtësisht origjinale krejtësisht kreative, i thotë diku Penelopës ‘vazhdo thure atë pëlhurë ose do të ndodh më e keqja, do të derdhet gjak mes dhëndurrëve, kandidatëve‘… Dhe Odiseja që hidhet sa andej këndëj, do të shkojë duke bredhur nëpër dete, erëra që e mundojnë. Tërë këto Fatosi i sjell në nëj këndvëhstrim të vecantë, me vizione të një mendimtari, të cilat i kanë shtruar edhe filozofët e mëdhenj në veprat e tyre. Njësoj si Rilke me poezinë “Orfeu, Euridika, Hermes”, që ka bërë një kryevepër, që Brodskij thotë është poezia më e madhe, më e artikuluar e shekullit XX. Dhe si e përshkruan ai atë botë andej në mënyrë aq plastike, jo me një përmasë universi si Dantja apo si ”Parajsa e humbur”, por me ngjyra aq të fuqishme, kur tregon se, si vjen prej andej, e tërheq Orfeu Euridikën dhe në fund sic dihet nuk duron, kthen kokën e sheh dhe ajo kthehet prapa dhe cfarë ndodh, Orfeu del në botën reale këndej dhe për kompensim nga humbja e tij ai ka artin, melosin që ngjall jetën dhe, pajtohet që Euridika ka shkuar dhe ka nisur një realitet tjetër.
Dhe këtu qëndron formati apo madhësia e poetit që në pafuqinë e njeriut të gjejë dalje. Rilke e mposht këtë pamundësi të njeriut, këtë pafuqi ai e bën art të madh. Kështu edhe Fatos Arapi kur shkruan për Prometeun. Ai thotë është mjeran njerëzimi sepse asnjë shkëndijë nuk i japin… Dhe sjell një vizion të tillë që thotë, shkaba le të jetë ajo që merr herë pas here nga mushkria ime për të ushqyer zogjtë e vet. Dhe kur i paraqitet në horizont, ai sikur e pret me gëzim, njësoj si poezia e Kavafit që thotë le të vijnë pushtuesit, le të vijnë, le të ndodhë dicka…
Fatos Arapi është poeti më i zhgënjyer, më i vetmuar sidomos në vitet ’90, dhe madje për këtë liri ai thotë se na erdhi më në fund liria që i jep liri pa kufi vetëm pikëllimit, një zhgënjim të cilin ai e shprehu edhe me tërheqjen nga jeta publike, duke besuar që heshtja do ndryshonte dicka. Në këtë kuptim, dua ta ritheksoj që poezia e tij është shumë më e thellë se poezia e Kadaresë e cila është një poezi e lëvizjes, të kohës, u përket poeyive që deklamohen në publik para pjesëmarrësve publik, njësoj si Majakovski, apo edh eme disa poezi intime ku mbizotëron malli. Arapi e tejkalon këtë.
Ndërkohë, Azem Shkreli është ndoshta poeti me eliptik, më i ngjeshur, ai e ka sprovuar fjalën deri ku nuk mund të shkohet më tej, e ka sfiduar në situata të ndryshme. Fjalën e ka bërë qenien e shqiptarit të kësaj hapësire në periudha të ndyshme dhe një poezi si e tij që e ka sjellë situatën e atyre viteve, një decenie e tërë, ku Kosova ka qenë në shterrethim ushtarak e policor, Pra në ndryshim nga të tjerët, Shkreli kurrkund nuk gjendet në asnjë varg ku të flitet për pushtuesin. Ai kërkon vetveten, shpirtin, ëndrrën, trishtimin, zhgënjimin, është marrë me sferën morale, krizën e qenies kolektive dhe është i vetmi poet që sa herë e gjen veten se mund të tjetërsohet në nëj shoqëri më probleme, ngjitet në Rugovë dhe nëpërmjet natyrës gjen oksigjen të ri, gjen vetveten.

Meqënëse po përmendni maja, dhe veçuat dy maja, në prozë Kadarenë dhe në poezi Fatos Arapi apo edhe Shkrelin. Me këtë klasifikim, duket se e përjashtuat Dritëro Agollin, i cili po ashtu ka mbajtur njëkonstante të artë, si në prozë, ashtu edhe në poezi, sidomos pas viteve ’90. Nuk e klasifikoni në këto maja?
Për mua Dritëroi është poet i madh i viteve pas rënies së diktaturës, dmth që nga 10 vjecari i fundit e shekullit që shkoi e deri sa u nda nga jeta. Poezia e tij është, për mua, fryma, atmosfera gjendja e një situate, e viteve jo vetëm gri, por të marrosura të shqiptarëve, vitet ‘90 e deri në fillim të viteve të shek XXI. Nuk ka poezi më të fuqishme se të Dritëroit në këtë sferë, ose të kësaj natyre, por unë po flisja për një poezi tjetër, një poezi të madhe të natyrës së mendimit të thellë deri në filozofik. Por ne kemi në letërsinë shqipe poetë të nja formati të madh, sic është Sadik Bejko, sidomos me librine fundit “Këngët e Solomonit”, apo Bardhyl Londo që thotë diku se i vjen keq për perënditë që s’dinë të bëjnë vetëverasje, apo poetin matanë kufirit, Sabri Hamiti, i cili te libri “Kukuta e Sokratit” ka disa poezi interesante. Shumë poetë dhe poezi të vecanta që mbajnë një peshë le të themi në letërsi unë i kam përmblehdur në librin “Një lexim i mundshëm i poezisë”, të cilin e kam patur si objekt të analizave gjatë punës me studentët e mi.

Vetëm pak kohë më parë ishit në Panairin e Librit në Fier, ku morët pjesë edhe në një tryezë për shkrimtarin e njohur, Jakov Xoxa. Jeni ndër të parët që keni bërë një botim të veprës së plotë të tij në Prishtinë. Cili është vendi i Jakovit në letërsi?
Po. Në ato vite u botuan disa autorë, veprat e të cilëve mund t’i gjenim më lehtë, si Petro Marko, Ali Abdihoxha, të disa shkrimtarëve dhe në tetë vëllime, unë kam përgatitur ato vite edhe botimin e veprës së shkrimtarit Jakov Xoxa, tre romanet, novelat etj. Për mua, Jakov Xoxa është shkrimtar i madh, shumë i rëndësishëm, sidomos për dy arsye; Jakov Xoxa solli në letërsinë shqipe realizmin më të madh të letërsisë evropiane të shek, 19. Pra, tek ne e solli Jakov Xoxa. Dmth formati i realizmit narrativ tek ai është i këtyre përmasave dhe, një njëfarë mënyre e shënoi këtë periudhë, la gjurmë me këtë epokë narrative romanore të Evropës së shek 19 dhe 20. Nga ky aspekt ai për mua që në gjallje ishte prozatori, romancieri klasik i letërsisë shqipe. Dhe e dyta, ai futi personashë nga jashtë Shqipërisë, një personazh nga Kosova, cka bëri që për lexuesit e Kosovës të mbetet i dashur edhe sot. Me dhjetra të rinj në Kosovë zgjedhin Jakov Xoxën për të magjistruar apo doktoruar, një nxitje që vijon ende.

Gjatë gjithë intervistës sonë keni përmendur shkrimtarë dhe poetë. Mendoni se letërsia shqipe është bërë vetëm nga burrat? Si e shihni letërsinë e femrave krijuese në Shqipëri por edhe në Kosovë e Maqedoni?
Ju keni të drejtë që ma bëni këtë pyetje, se unë jo vetëm në këtë perspektivë, por edhe në një perspektivë tjetër isha i njëanshëm, sepse parapëlqej një poetikë poezie, si kjo e lirikut mendimtar, për të mos e thënë filozofik, e kjo, mund të duket e tillë, si largim nga kjo letërsi që pyesni, madje, ju falënderoj që ndërhytë e më përmendët me lart edhe Dritëroin. Në poezinë shqipe, në letërsinë shqipe, femrat kanë vendin e vet jo si femra, por si autore, si poete, romanciere, prozatore. Lexoja këto ditë një studim të një studiuesi tonë në Prishtinë për Musine Kokalarin, i cili sillte të dhëna të reja për një grua krijuese me përmasa mbi mesatare. Kjo pyetje po më zë ngushtë se mos harroj emra, por do përmendja emra të njohur tashmë të letërsisë, si Natasha Lako, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapin, duke ardhur tek më e reja, Majlinda Rama që sot me të drejtë konsiderohet një zë që e freskon poetikën tonë, sidomos një lloj të poezive intime tek ne që e lexoj dhe e vlerësoj shumë edhe unë, po ashtu do kujtoja edhe Lindita Ahmetin në Maqedoni që është në kulme majash të poezisë bashkëkohore shqipe. Dua të përmend edhe prozatore si Diana Culi apo Helena Kadare. Pra, janë disa emra që unë i kam lexuar gjatë gjithë kohës, por letërsia shqipe ka zëra interesant aq sa kam mundur t’i përcjellë e t’i lexoj unë gjatë këtyre viteve.