Ka përfunduar edicioni i dhjetë i çmimeve kombëtare “Harpa”, i cili si çdo vit tjetër ka mbledhur figura e personalitete të njohura në një mbrëmje gala. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore, e kthyer tanimë në një traditë, ka sjellë në vëmendjen e publikut emra, institucione e personazhe me kontribute të vyera në disa fusha të artit, kulturës e letërsisë.
Kështu, çmimin e madh “Harpa” e dorëzoi prefekti i qarkut Fier, Lefter Shehaj për Akademikun Shaban Sinani, me motivacion “Personalitet i shquar, akademik, studiues elitar dhe historian i letërsisë, etnolog dhe eseist, me një kontribut të jashtëzakonshëm në botën akademike. Ka sjell vlera autentike, risi dhe modele origjinale. Me punën e palodhur dhe profesionale, është bërë urë lidhëse midis kulturave, duke kapërcyer kufijtë shqiptar, si një emër i madh i plejadës së kulturës e letërsisë”.
Cmimin e personalitetit “in memoriam”, Fondacioni “Harpa” këtë vit ia akordoi poetit Lefter Çipa, me motivacion “Lirikut të fjalës së bukur, poetit emblematik, autorit të pakrahasueshëm të vargjeve të këngës polifonike labe, i cili përherë ndriçon dhe do të vazhdojë të mbetet si një referencë e poezisë burimore popullore dhe jo vetëm.”
Kujtojmë se edicioni i dhjetë i çmimeve “Harpa”, mblodhi në mbrëmjen gala, figura të njohura të artit, kulturës, letërsisë, medias e politikës të ardhur nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Ky eveniment i kthyer tashmë në një traditë, ka akorduar disa çmime, duke vlerësuar emra e personalitetet më të spikatura gjatë vitit 2022.
Në këtë mbrëmje u dhanë këto cmime: Çmim “Aktori më i mirë” për Viktor Zhustin, me motivacion “Artist i përmasave të mëdha në skenë dhe ekran. Vitet e fundit ka arritur majat e aktrimit, përmes roleve të përcjella mjeshtërisht dhe ndërtimit të karatereve të mrekullueshme. Veçojmë rolin e mbretit Lir, një arritje cilësore në interpretimin dhe dramaturgjinë skenike shqiptare”.
Çmim “Këngëtari më i mirë lirik” për Kastriot Tushe, me motivacion “Këngëtari lirik i pakonkurrueshëm, që me talent e zotësi profesionale ka lëvruar edhe gjini të tjera, veçanërisht këngën popullore të përpunuar, duke marrë respektin dhe mirënjohjen e publikut”.
U dhanë disa cmime Karriere: Tenorit Josif Gjipali, me motivacion “Tenori i shquar, i cili me talentin e rrallë dhe zërin brilant e të fuqishëm ka fituar adhurimin e publikut. Një emër i madh në arenën operistike kombëtare dhe ndërkombëtare, i cili na ka bërë të ndihemi krenarë”.
Ish-politikanes Valentina Leskaj, me motivacion “Personalitet i shquar, me ndikim në jetën publike. Me librin e saj Politika si Ide, sjell një qasje të re në vështrimin e problemeve që përballet shoqëria shqiptare, si një kontribut i çmuar në shërbim të nxitjes së atij procesi reflektimi e debati, për të cilin shoqëria e politika shqiptare ka aq shumë nevojë”.
Këngëtares Aurela Gaçe, me motivacion “Për talentin dhe fuqinë interpretuese, zërin e mrekullueshëm dhe energjik. Ka ndërtuar një fizionomi të veçantë në jetën publike, si një këngëtare që njeh vetëm suksese. Prej prej vitesh, mbetet nga më të dashurat për publikun e gjerë”.
U dhanë çmime në gazetari, ku “Gazetarja e Vitit” u shpall Luela Myftari me motivacion “Për pasqyrimin me shpejtësi, korrektësi dhe origjinalitet të ngjarjeve të rëndësishme kulturore, që lidhen me zhvillimet në këtë fushë, jo vetëm brenda kufijve kombëtar, por edhe nga vendet e rajonit, për ndërtimin profesional të reportazhit kulturor, si dhe për mundësimin e transmetimit të tyre me profesionalizëm të admirueshëm në ekranin e standardeve ndërkombëtare A2 CNN” dhe “Çmimi special në gazetari” iu dha Arta Marku Qendro dhe Monika Stafa, përkatësisht me motivacionet “Për realizimin me profesionalizëm të lartë e pasion të pashterur të emisionit ‘Bibliotekë’, si dhe për përjetësimin e mendimeve, pikëpamjeve, filozofive e vizioneve të shumë shkrimtarëve në librin ‘Dhomat pa mure’, duke ruajtur të gjallë figurën e tyre komplekse, mendimin avangard, por edhe duke i kaluar në filtrin e saj kulturor”, “Gazetare dhe autore me rol të spikatur në televizion dhe shqypin e shkruar. Ka dhënë një kontribut të veçantë në letërsi, sidomos me rubrikën e përjavshme ‘Vitrina e librit’ në ekranin e Top Channel”.
Disa Çmime Speciale morën : Alda Bardhyli, me motivacion “Për kontributin e veçantë në dobi të jetës letrare dhe kulturore, sidomos në promovimin, nxitjen dhe përkrahjen e autorëve shqiptarë”.
Ilirjan Gjika “Për kontributin e dhënë në fushën e historiografisë, ku nëpërmjet studimeve të veçanta, ka pasqyruar ngjarje dhe personazhe të historisë lokale dhe kombëtare”.
Namik Dokle, me motivacion “Për arritjet e shënuara në aktivitetin e tij të dendur si autor i një korpusi romanesh të veçantë në gjuhën shqipe, që brenda një harku të shkurtër kohor u përkthyen dhe botuan në disa gjuhë të huaja, duke dëshmuar vlerat e padiskutueshme letrare dhe mesazhet universale. Njihet si model i mendimit tolerant”,
Sotir Stefa, me motivacion “Për galerinë e mrekullueshme të karaktereve njerëzore të krijuara, të përcjella mjeshtërisht përmes shumë roleve, si aktor i estradës dhe teatrit ‘Bylis’ të Fierit”.
Ligoraq Riza, me motivacion “Aktor i talentuar, mjeshtër i interpretimit skenik. Spikati veçanërisht me monodramën ‘E madhe është gjëma e mëkatit’ të Mitrush Kutelit”.
Baki Bala, me motivacion“Për merita të veçanta, kontribut si krijues dhe piktor, si dhe për sjelljen e librit profesional ‘4P e procesit të blerjes’, i cili ka trokitur si një vlerë të shtuar në botimet e këtij lloji”.
Ceremonia e çmimeve kombëtare “Harpa”, është një ngjarje e rëndësishme kulturore, e kthyer tanimë në një traditë, e cila ka sjellë në vëmendjen e publikut emra, institucione e personazhe me kontribute të vyera në disa fusha të artit, kulturës e letërsisë.