“Për kontribut të shquar në zhvillimin e kulturës, arsimit të lartë, kritikës dhe kërkimit shkencor, si studiues i shquar i shkencave albanologjike; si historian i letërsisë dhe në veçanti i kritikës letrare shqiptare; si një lloj ”enciklopedie” të kritikës letrare shqiptare, si shkrimtar dhe polemist, si zë origjinal dhe kritik i problemeve të mëdha të kohës, të bazuara në kritikën e së vërtetës, si një ndër intelektualët më të shquar të kombit shqiptar”.

Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup në një ceremoni solemne i ka dorëzuar titullin ‘Doctor Honoris Causa’ Akademikut Ali Aliu. Komisioni recensues, në përbërje akademik Luan Starova, kryetar, Prof. Dr. Sunaj Raimi, anëtar dhe Prof. Dr. Mustafa Ibrahimi – anëtar, në bazë të mendimit pozitiv të Drejtorisë Rektoriale të Universitetit i dhanë titullin ‘Doctor Honoris Causa’ akademik Ali Aliut me motivacionin: “Për kontribut të shquar në zhvillimin e kulturës, arsimit dhe kërkimit shkencor, si studiues i shquar i shkencave albanologjike; historian i letërsisë dhe në veçanti i kritikës letrare shqiptare; si zë origjinal dhe kritik i problemeve të mëdha të kohës, të bazuara në kritikën e së vërtetës, si një ndër intelektualët më të shquar të kombit shqiptar”.

Akademik Luan Starova, në fjalën e tij tha se biografia e akademik Aliut është shumë e pasur dhe me shumë sfida gjatë gjithë karierës së tij, gjithmonë pjesë e proceseve kombëtare dhe shpesh duke pësuar nga organet e rendit të ish-Jugosllavisë, dhe disa herë edhe i larguar nga puna.
Ndërkohë, rektori i Universitit, Azis Pollozhani gjatë ndarjes së titullit tha se Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, përveçse nderon akademik Ali Aliu me këtë titull, nderon edhe veten, sepse, me këtë akt, akademik Aliu është pjesë e universitetit të vetëm publik në gjuhën shqipe në kryeqytet.
Titulli Doctor Honoris Causa, të cilin Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup ia ndau Akademikut Ali Aliu, është titulli i dytë që jepet që nga themelimi i këtij Universiteti në vitin 2015-të. Titulli i parë iu akordua nobelistit amerikan me prejardhje shqiptare Ferid Murati.
Ndërkohë, kujtojmë se akademiku, shkrimtari, studiuesi i letërsisë, kritiku letrar, Ali Aliu, me forcën e fjalës dhe penës, zë një ndër vendet më të larta në thesarin e vlerave kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve . Lindur në Kranjë të Prespës më 1934, Ali Aliu kryen katër klasat e ulëta të fillores. Pjesën tjetër të shkollimit fillor e bën në Manastir, duke banuar në konviktin për nxënës të gjimnazit maqedonas të qytetit, i vendosur në ndërtesën ku ishte mbajtur Kongresi i Alfabetit më 1908. Në ato vite të pas Luftës së Dytë, fundi i dyzetave, filloristi 15-16 vjeçar, për herë të parë do dëgjojë, më shumë si pëshpërima për Kongresin e Manastirit, për shtypshkronjën dhe botimin e librave shqip të Qiriazëve, për Migjenin dhe shkollimin e tij në të njëjtin qytet ku ai përfundonte shkollimin tetëvjeçar… Do ta mbajë mend se, aso kohe, prania e shqiptarëve në Manastir ishte e fuqishme – flitej për rreth 15 mijë shqiptarë që përbënin një të tretën e popullsisë, siç do ta mbajë mend sidomos faktin: nga 24 nxënës të gjeneratës së parë të semimaturantëve (12 vajza e 12 djem ), 15, me familjet e tyre do të shpërnguleshin, menjëherë pas shkollimit fillor, për në Turqi… Pas shkollimit në Manastir, në vitin 1949 regjistrohet në klasën e parë të Shkollës Normale që aso kohe ishte në Tetovë, ku do të kryejë vetëm vitin e parë, ndërsa tri klasat e fundit në Shkup, ku ishte vendosur Normalja. Studimet në Katedrën e Albanologjisë do t’i kryejë në Beograd vitin 1960. Gjatë studimeve universitare Ali Aliu do të përjetojë disa nga peripecitë e para të rëndësishme në jetën e tij. Që atëherë do të fillojë të shkruajë dhe të botojë ndonjë skicë apo recension. Është njëri ndër themeluesit e shoqatës Përpjekja, e para dhe aso kohe e vetmja shoqatë e studentëve shqiptarë në ish – Jugosllavi. Për aktivitetin e tij do të burgoset dhe do të qëndrojë rreth tre muaj në hetuesi (në burgun famëkeq Ce-Ce), së bashku me Agim Gjakovën, po ashtu student në Universitetin e Beogradit. Pas studimeve në Beograd, Aliu do të kthehet dhe punësohet në redaksinë e gazetës Flaka e Vllaznimit që aso kohe, dilte njëherë në javë, ku do të punojë për dhjetë vjet të plota (1959 – 1969). Do të jetë ky dhjetëvjetëshi i mbushur me përjetime, sfida dhe turbulenca për të. Që në ditët e para, si njëri nga dy albanologët e vetëm aso kohe në Shkup, do të vihet nën mbikqyrjen e organeve policore. Shpesh do të thirrej në biseda informative dhe do të kërcënohej për mendimet e tij, shpesh rebeluese, qoftë në ndeja e kafene, qoftë edhe në gazetë. Nuk i kishte të paktë denoncuesit, listën (por të seleksionuar nga policia) e të cilëve do ta kërkojë sipas procedurës dhe do ta marrë gjatë viteve nëntëdhjetë së bashku me dosjen voluminoze, të mbyllur me periudhën komuniste, por jo edhe me pjesën e kohës së pluralizmit që, beson Aliu, po ashtu duhet të jetë voluminoze… Po nga kjo periudhë është i njohur procesi kundër tij për katër shkrimet e botuara në verën e vitit 1967 me titull të përbashkët “Tetova parë nga afër”. Ishte kohë menjëherë pas mbledhjes në Brioni, kur u dënua terrori i UDB -së dhe kur u krijuan, vetëm për pakë kohë, kushte për deklarim pak më të lirë. Pikërisht këto shkrime u bënë shkas për debate nëpër organizatat partiake, si të Flakës dhe Nova Maqedonisë, ashtu edhe në disa qendra të Maqedonisë Perëndimore. Dhe pikërisht, kur pas afro dy viteve, kur shpërthyen demonstratat edhe në Tetovë, pas atyre në Kosovë, shkrimet e botuara Tetova shikuar nga afër, në mbledhjen e parë të Komitetit Qendror të Maqedonisë u akuzuan si edhe një burim që patën inspiruar demonstratat. Aliu që nga ato ditë do të shpërngulet në Kosovë, në Shtëpinë Botuese Rilindja ku do të punojë tre vjet. Nga fillimi i viteve shtatëdhjetë, ai do t’i përkushtohet studimit të letërsisë shqiptare… Në vitin 1974, në Universitetin e Prishtinës do ta mbrojë tezën e doktoraturës (Vepra dhe jeta e Petro Markos). Në fillim të shtatëdhjetave (1972) do të pranohet si ligjërues në Fakultetin Filozofik në Prishtinë – Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, në fillim si ligjërues i lëndës Letërsia për fëmijë dhe pas dy viteve si ligjërues i lëndës Teori e letërsisë. Këtu do të punojë deri në vitin 1990, kur, së bashku edhe me disa nga pedagogët e këtij fakulteti, për veprimtari politike do të përjashtohet nga puna. Si shumica e intelektualëve të atëhershëm në Prishtinë, Kosovë dhe hapësirën shqiptare, Aliu do të gjendet në radhën e atyre që do t’i kundërvihen politikës shoviniste dhe antishqiptare të Beogradit. Edhe gjatë viteve nëntëdhjetë, pas mbylljes së shkollave shqipe, Aliu me kolegët e vet do të vazhdojnë ta mëkëmbin dhe mbajnë sistemin paralel të shkollimit nëpër shtëpi e lokale private… Gjatë tri dekadave si profesor në Katedrën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqiptare pranë Fakultetit Filologjik në Prishtinë, Ali Aliu do ta formojë profilin e tij prej studiuesi në hapësirën shqiptare, duke botuar një varg veprash nga fusha e studimeve të letërsisë shqiptare. Pos punës së suksesshme si pedagog ai do të shquhet mes asaj pjese të intelektualëve shqiptarë më të angazhuar për çështjen kombëtare. Për bindjet dhe aktivitetet, ai do të ndëshkohet me përjashtim nga partia dhe më pas edhe nga puna. Gjatë viteve tetëdhjetë të shekullit që shkoi, pas demonstratave të njohura të studentëve (Prill 1981), kur ashpërsohej vazhdimisht konflikti mes popullatës shqiptare dhe pushtetit serb të Beogradit në Kosovë, fushata e ndjekjes policore ndaj tij, si dhe shumicës së intelektualëve të tjerë në Kosovë, bëhet edhe më e egër. Aktualizohen “mëkate” të vjetra nga dosja policore e Ali Aliut në Maqedoni dhe, pikërisht gjatë viteve tetëdhjetë, do të hiqen nga përdorimi tre tekstet shkollore hartuar prej tij nga letërsia shqiptare, si dhe do të futen në indeks të gjitha librat e tij. Një pjesë e tyre do të digjen, kurse të tjerat do të tërhiqen nga bibliotekat. Po në këtë kohë do të pamundësohet botimi i Antologjisë së tij “Poezia shqiptare e shekullit 19 dhe 20” përgatitur për një botues maqedonas “Detska Radost” në Shkup, me pretekstin se frymëzon idenë për Shqipërinë e Madhe, meqë, në të përfshiheshin poetë nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan. Në atë kohë, edhe disa shqiptarë, si dorë e zgjatur e pushtetit policor, e vlerësuan këtë antologji si irredentiste, njësoj si disa të tillë, të cilët gjatë debatit në parlament për ndalimin e Leximeve Letrare për klasat e larta të filloreve shqiptare, i shpallën armiqësore dhe votuan për ndalimin e tyre… Në fund të viteve tetëdhjetë (1989) Ali Aliu, së bashku me një grup intelektualësh, do të radhitet ndër themeluesit e parë të partisë së parë shqiptare në këto hapësira – Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai do të jetë për dy mandate anëtar i Kryesisë së LDK-së, dhe njëri nga udhëheqësit e saj të dalluar. Do të marrë pjesë në themelimin e Degëve të partisë në Kosovë dhe në diasporën shqiptare, si në Evropë, ashtu edhe në Amerikë, Australi e gjetkë, duke u përballur me sfida të rënda. Është e njohur rrezistenca, provokimi dhe sabotimi që i bënin disa individë dhe qarqe të emigracionit shqiptar të atjeshëm, themelimit dhe shtrirjes së kësaj partie të parë, e cila, në ditët dhe vitet e para përjetohej si lëvizje gjithëshqiptare. Duke qenë dorë e zgjatur e rrjetit policor beogradas, vite e decenie me radhë, këta individë, përpos shpalljes së Aliut si i dërguar pikërisht i Beogradit, gjatë qëndrimit themelues në SHBA, shpesh i vinin kërcënime anonime të llojit: nesër të mos shkojë në tubimin themelues në… se do ta paguajë me kokë, etj. Vite më pas u pa se sa i nevojshëm ka qenë ai aktivitet që rezultoi me mobilizimin e diasporës shqiptare për çështjen e Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, e cila u bë krah i fortë i luftës për çlirim… Në vitin 1991, LDK-ja do ta hapë të parën Zyrë të Kosovës në Tiranë, dhe për përfaqësues të saj të parë do ta emërojë Ali Aliun. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, deri në fund të vitit 1992, ai do vërë lidhjet e para me lëvizjes shqiptare në Kosovë dhe institucionet shtetërore të Shqipërisë. Do të vihet themeli i përkrahjes konkrete të shtetit shqiptar rezistencës popullore në Kosovë; do të organizohen format e ndihmës konkrete, sidomos në aftësimin individual dhe grupor për një rezistencë dhe luftë afatgjate… Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i saj. Është anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë së Veriut. Ka ligjëruar mbi 10 vjet si profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ali Aliu është bartës i disa mirënjohjeve, siç janë: çmimi për librin më të mirë të vitit, Kritika letrare, botuar nga SHB “Rilindja” 1980; çmimi “Dimitar Mitrev” të SHSHM për librin më të mirë me kritika, Shtegtim metafore, për vitin 2007; çmimi “Onufri”, akorduar nga Festivali “Poeteka”, Durrës; çmimi republikan “11 Tetori”, Maqedoni; çmimi “Krenaria e Prespës”, ndarë nga Shoqata “Prespa na bashkoi”, Çikago; çmimi special për kritikë nga Shoqata e Shkrimtarëve Lezhjanë, si dhe çmimi “Azem Shkreli”, çmimi për librin e vitit për kritikë letrare i Ministrisë së Kulturës i Shqipërisë, për librin Donë Kishoti shqiptar në vitin 2012; çmimi për vepër jetësore në letërsi, akorduar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kosovë në vitin 2015; çmimi i karrierës nga Fondacioni “Harpa”; çmimi “Penda e Artë” nga Ministria e Kulturës, Tiranë; dekoruar me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, si dhe me titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Është autor i më shumë se 35 librave. Është botuar e përkthyer në disa gjuhë të huaja. Vijon të japë ende kontributin e tij në ndjekjen, hap pas hapi, të zhvillimeve të rrjedhave të letërsisë shqipe, duke u bërë i vetmi në llojin e tij, me punë e pasion të pashterur në ndihmë të letërsisë shqipe.

ALI ALIU NDEROHET NË MAQEDONI EDHE ME ÇMIMIN SHTETËROR “22 NËNTORI”
Një muaj më parë, akademik Ali Aliu u shpall fitues i çmimit shtetëror “22 Nëntori” në Maqedoni. Akademik Ali Aliu është vlerësuar për kontributin e madh në studime dhe kritikë letrare, ndërsa, në po të njëjtën ditë u dha vlerësim edhe për përkthyesin dhe shkrimtarin Xhevat Lloshi. Çmimi shtetëror “22 Nëntori” u ndahet personaliteteve të shquara që kanë dhënë shumë për arsimin, shkencën dhe kulturën shqiptare. Vendimi për këtë çmim ishte miratuar nga Parlamenti i Maqedonisë në vitin 2018, ku në ndryshimet e Ligjit për çmime shtetërore, u fut edhe çmimi “22 Nëntori” me rastin e shënimit të “Ditës së alfabetit shqip”. Iniciativa atë kohë ishte e deputetëve Artan Grubi, Ejup Alimi, Muhamet Zeqiri, Goran Misovski, Aleksandar Kiracoski dhe Hari Llokvenec.