NGA ALI ALIU

E kam thënë edhe më herët se Majlinda Rama i përket një sfere superiore të lirikës së dashurisë dhe e pasuron këtë lloj lirike në poezinë shqipe. Dashurinë e sheh si një rrezatim që rregullon universin. Në këtë aspekt ajo sjellë një frymë të re në poezinë erotike tek ne, me të cilën unë jam marrë në një libër të posaçëm për Majlindën, të botuar në Agora, së bashku me 6 autorë të tjerë, siç është, Kadareja, Azem Shkreli, Fatos Arapi, Agolli, Zija Çela e Kim Mehmeti.

Në librin “Lirikë me dhimbje”, d ua të ndalem pikërisht tek dashuria, e cila në imagjinatën e krijueses, hedh një rrezatim, rregullon një univers njerëzor. Në këtë rast, Majlinda, edhe konfliktet e personazheve të nëntokës në romanet e saj, nuk zgjedh t’i çojë në burg, por e gjen pajtimin tek dashuria. E kam menduar e ndoshta edhe e kam thënë, por shpesh e kam menduar këtë, si një traditë që na kujton Gilgameshin  para Homerit, që dashuria ka një fuqi të atillë që e zbut edhe gurin, edhe egërsinë. Në këtë kuptim domethënë, një dashuri që kërkon në njëfarë mënyre, të harmonizojë këtë univers tonin që mban brenda tij nuanca gri. Këtë të nxit poezia e Majlindës, që në një kontekst është ajo e distancës.

Po të ndalemi tek disa poezi të saj, unë do të veçoja shumë prej tyre.

Tek poezia “Ju që më deshët me zjarr”, heroina lirike vëren që tërheq një pëlqim njerëzor, tërheq shikime që e pëlqejnë dhe shkallë-shkallë, që e duan, që e adhurojnë dhe s’ka asgjë kundër kësaj. As i konsideron mëkatarë, as të bezdisshëm… por bën thjesht një komunikim nga distanca. Dhe, në këtë balancim që thashë në fillim, të universit njerëzor, që e fut dashurinë gjithandej, ajo u thotë pëlqyesve dhe vardisësve, jam dakord me të gjitha shtresat e vardisjeve tuaja, nuk u bëj me faj, por ja, që unë jam “hënë e dikujt që s’më deshi kurrë”…

“Kur më sheh ti”, është një tjetër vepër antologjike në lirikën erotike të Majlinda Ramës në poezinë shqipe; çast shikimi goditës i të dashurit që të lë pa gojë; tërmet safoje që ta dridh trupin fije të skuqura metali; shikim që shtrihet magji mbi trup dhe zëri. Autorja, flatrave përhumbet qiejsh; rreze drite e syve të cilën, urtia antike, që nga fillimet e ka konsideruar shigjetë shpirtërore që depërton përtej, që ndriçon, zgjon emocione qiellore tek e dashura, tek i dashuri; emocion që të pushton në shikim të parë, që të deh dhe dorëzohesh krahëve magjikë; në rastin e vargjeve të kësaj poezie, deri sa e merr veten; dhe gati se nuk shkel vijën e zonës, përtej konvencave, duke marrë në dorë situatën:  “… kur më jepesh ti, – nis të bëhem Kleopatra, – e të rrëmbej me gjithë çfarë je – lëndë dhe shpirt”… Sa e pranishme veçantia e lirikës erotike e kësaj poeteje: nuk vrapon, jo vetëm me rastin e kësaj poezie, pas akteve flagrante, të shpeshta në lirikën erotike; ajo, duke himnizuar shpirtëroren, natyrshëm qëndron para portës parajsore…

Poezia “Skulpturë” – Qëndron në shesh të botës bukuria grua, gdhendur në mermer, zhveshur fajesh, mëkatesh; kurm nga i cili derdhen tërë hiret e saj, mirësi dhe krenari, gjithë nga një fron sipëror, qiellor, gjithë përballë saçit diellor dhe ngricës akullore, gjithë përballë gojës-botë:  “Bukuri vrastare”, sa Shën Mëri, sa e përdalë”… dhe prapë burrat: “Enden muzikë lutjesh në çdo cepin tënd/Dhe të nisin shira, dëborëra përmbi/Të puthin, të ndukin, me mend e pa mend/Dhe të veshin vello, dhe të vën’ në zi”. E gdhendur në mermer tërë kjo dhembje planetare, Laokonti antik që këlthet në kupë të qiellit, jo aq nga dhembja e shtrëngimit mbytës nga gjarpëri përreth trupit, po për plogështinë, indiferencën e botës, njeriut, që nuk e kupton dhe nuk e kupton, ndër shekuj kalin dhuratë të Trojës; klithje e poetes, që mëton të shpërthejë zëshëm, dhimbje shkaktuar gojë-botës që s’pushon së vëni në turrë drush kurmin shpirtëror të gruas…

“Mall dhe burrë”, është perlë e vërtetë poetike, melodi që s’nginjesh së dëgjuari, valë, rrjedhë uji gurgullues që të ndjell magjishëm nëpër hapësirën pa fund; vijës së traditës më perfekte të gurrës popullore, poetja gdhend një lojë-valëzim trupash të dashuruar, gjysmë prej vërteti e gjysmë ajrorë, sa në tokë dhe sa qiellore; në përqafim, trupeshpirt, dy të dashuruarit bëjnë lëvizje, dirigjuar nga një koreografi magjike, që krijojnë figura reale sureale, gjithë në hapësirë krijuar vetëm për fluturim ëndërrimet e tyre; perfeksion estetist për syrin dhe veshin bashkë, majave dhe të lirikës erotike shqipe…

“Lojë të dashuruarish”- Poezia më e shkurtër e ciklit erotik në veprën poetike të Majlinda Ramës; një mini poezi, mini lojë poetike, mes dy të dashuruarve, përmes syve, përmes shikimit; janë rrezet e fanarëve shpirtërorë që depërtojnë drejt e në shpirt, rreze që gjen udhë drejt bukurisë femërore, udhë të cilat nuk i gjen dot asnjë shtegtim tjetër njerëzor; dhe vetëm brenda dy katrenave të poetes, kur rrezet e dritës së brendshme depërtojnë tek njëra-tjetra, përcjellin emocione pasionante, të cilat nuk i rrok dot fjala, siç ngjan komunikimi aq përfshirës, që s’lë fshehtësi pa shpërfaqur…