85 vjet më parë, në 1 gusht të vitit 1937 ndërroi jetë një nga poetët më të spikatur të Rilindjes Kombëtare, Dom Ndre Mjeda.

Ai ishte klerik, teolog, poet, gjuhëtar, veprimtar e patriot i Rilindjes si edhe deputet. Mjeda vlerësohet edhe për kontributet në miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Mësuesia dhe meshtaria ishin dy prej aktiviteteve që i ushtroi gjatë gjithë jetës së tij.

Ndre Mjeda lindi në nëntor 1866, në Shkodër. Ai studioi për teologji dhe më pas punoi si mësues dhe shërbeu si famullitar në fshatra të ndryshme, sidomos në fshatin Kukël, ku gjendet edhe qendra muzeore ”Ndre Mjeda”, e cila nga viti 2012 mban statusin monument kulture i kategorisë I.

Poema e tij më e njohur është “Vaji i bylbylit”, e cila përshkohet nga thirrja për liri. Më 1901, themelon shoqërinë “Agimi”, krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti.

Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, më 1916-1917 ishte anëtar i Komsisë Letrare. Në periudhën e lëvizjes demokratike (1920-1924), Ndre Mjeda merr pjesë në jetën politike dhe zgjidhet deputet.

Pas kthimit te Zogut, tërhiqet nga jeta politike dhe punoi si prift në Kukël. Vitet e fundit ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër dhe ndërroi jetë në këtë qytet më 1 gusht 1937, në moshën 71-vjeçare, i afirmuar si njeri me dije poliedrike dhe veprimtari në shumë fusha./xh.m

 

Marrë nga: ATSH