VALTER MEMISHA

 Ali Asllani përveçohet në historinë dhe kulturën tonë kombëtare me prurje të shumëfishta, duke zënë vend të vlerësuar me krijimtarinë e tij letraro-artistike. Sipas studiuesit B. Gaçe ai “është pa dyshim ndër personalitet më të shquara të poezisë shqipe, sidomos në vitet pas periudhës së Pavarësisë Kombëtare e në kohët e vona. Ai hyri në letërsinë shqipe si një rilindës i vonë. Zëri i tij poetik u shfaq i plotë në vitet ‘20 – ’30”[1] të shekullit të kaluar. Sipas këtij studiuesi “poezia e Ali Asllanit shquhet për origjinalitetin dhe autencitetin e zërit të vet. Është një poet i veçantë, një zë tjetër i bukur, që i bashkohet korit të përgjithshëm, poezisë së vërtetë të atëhershme shqiptare”[2].

Poezia e tij, më shumë se te cilido krijues tjetër në letërsinë tonë, ka brumë dhe vlagë nga mendësia dhe gjuha e popullit. Këtë vlerësim e mbështetim në pasurinë frazeologjike popullore që ai e ka njohur me thellësi dhe ka ditur ta përdorë me art. Theksojmë këtu se poezia, si lloji i i veçantë i krijimtarisë artistike ka “kapriçiot” e veta dhe krijuesi i saj gjendet në vështirësi në përzgjedhjen e përdorimin artistik të fjalës dhe jo më të njësisë frazeologjike, e cila, duke qenë e ndërtuar me dy a më shumë fjalë shënuese “nxjerr kleçka”, në rrafshin semantik, në rrafshin e realizmit metrik të vargut apo të realizimit të figurshmërisë (që është tipar kryesor i saj). I mëshojmë këtij aspekti, sepse njësia frazeologjike është në vetvete një produkt i shndërrimit të figurshëm, përgjithësisht, të një sintagme / të një togfjalëshi të lirë.

Këtu po bëjmë objekt trajtimi pasurinë frazeologjike të vëllimit “Vidi – vidi pëllumbeshë”[3], një përmbledhje me poezi të përzgjedhura nga krijimtaria e poetit. Që në leximin e parë të befason numri i madh i njësive të tilla. Thënë ndryshe duket sikur vepra del si një fjalor frazeologjik i poetizuar. Në një vëllim me poezi të formatit të vogël, me rreth 250 faqe, gjen rreth 1000 njësi frazeologjike. Ne kemi qëmtuar mbi 650 njësi të tilla (saktësisht 655), duke synuar që njësitë e përsëritura (si vlerë dhe jo si kontekst) të jepen vetëm njëherë, përmes një ilustrimi, sepse një pjesë jo e vogël e tyre dalin disa herë në poezi e në ndërtime të ndryshme.

  1. Për krijimtarinë e A. Asllanit janë bërë me dhjetëra studime, të pjesshme a të plota. Ne nuk mëtojmë të rindalemi në vlerat e saj tematike, ideore, artistike, estetike etj., por po ravijizojmë diçka, sidomos për fushat konceptore, që identifikohen përmes frazeologjisë, duke i lënë vendin qendror pasqyrimit të pasurisë së vjelë.
  2. Në poezi gjen njësi frazeologjike që të lidhin me mjedisin qytetar vlonjat: Thon’ se shiu muajt maj / nëpër dete bën sedefe / dor’ e vajzës punon paj’, / dor’ e majit bën gjergjefe!; Një i ri, një këngëtor, / ju pat thurur një tuf’ këngë, / po atje në atë Vlorë, / ja kish bërë koka dëng!
  3. Aty gjen, gjithashtu, njësi frazeologjike që të lidhin me mjedisin e fshatit, me jetën baritore etj., dhënë drejtpërdrejt a përmes frazeologjisë së motivuar nga bota e kafshëve dhe e bimëve: Erdhi vera përsëri / kalipeç mbi shtiza dielli, / bejk’ e stanit buz’ flori / del e pret me kënga fyelli!; Rrymë e frymë farmak çakalli, / fund e krye duhen çdukur / ndryshe bëhet byk në lëmë / tejpërtej kjo botë e bukur!; Po nashti na humbi vula, / dualnë zogjtë nga furriku / dhe këto të reja pula / u bën gjela tash, kikiku!; Me dorë shkence tej për tej / u bë vashëz dhe vejushka, / s’ësht’ çudi që nesër – dej / të na pjelli edhe mushka!; I ka hije detit vala, i ka hije kalit shala, / po më shumë nga të gjitha, i ka hije burrit fjala!; I ka hije detit vala, i ka hije kalit shala, / po më shumë nga të gjitha, i ka hije burrit fjala! etj.
  4. Vend të veçantë në poezinë e Ali Asllanit zë njësitë frazeologjike që lidhen me temën patriotike, sidomos me mjedisin luftarak e me ngjarjet e Luftës së Vlorës në vitin 1920 etj: Erdhën rrotull e vërdallë, / po e pan’ që s’bëhej ballë!; Kur e pa i gjithë mileti / që do bëhej kiameti; Gjith armiqve gjer’ e thellë, / t’u vej flaka gjer në qiellë!; S’shitet Vlora me fermane, / s’vishet burri me tumane; Si thot’ beu që don paqe, / posht’ mësalla me dy faqe!; Nuk e ka shqiptari fisë / që të thith’ nga dosa sisë! / E pra fjalën e ka Vlora / ta bëj’ botën plotë dora…; Nuk e ka shqiptari fisë / që të thith’ nga dosa sisë! / E pra fjalën e ka Vlora / ta bëj’ botën plotë dora…; Nuk e ka shqiptari fisë / që të thith’ nga dosa sisë! / E pra fjalën e ka Vlora / ta bëj’ botën plotë dora… (f. 133)
  5. Njësitë frazeologjike në penën e Ali Asllanit japin me ngjyrime semantike e emocionuese dhe probleme shoqërore të kohës, sidomos të viteve të Paraçlirimit. Fjala vjen, te poezia “Hakërrim” gjen më dhjetëra e dhjetëra njësi që marrin pjesë në shprehjen e mendimeve e të ndjenjave të autorit për intelektualin që revoltohet për shumë plagë të kohës. Poezia mbart mesazhe shumë domethënëse e të gjithëkohshme, sa në ditë e sotme janë më me vlerë se kurrë, apo thënë ndryshe, duket sikur poeti Ali Asllani është i gjallë, sikur përjeton e shkruan për gjendjen e tanishme të Shqipërisë: Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët, / sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!; Fshati digjet kurva krihet: As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet… / Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!; Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira, / ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira! / Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri: / te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!; Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut, / fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!; Dhe u bëtë pasanikë, me pallate, me vetura, / kurse burrat më fisnikë japin shpirtin në tortura!; Vëndi qënka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë, / bëni sikur veni vetull’, shoku shokut kreni sytë… / Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë. / Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë! etj.
  6. Dashuria është mbimotivi i poezisë lirike të A. Asllanit. Ndjenja për vajzën shqiptare, për bukurinë e saj fizike e shpirtërore është përbërës i pandashëm i krejt vëllimit dhe njësitë frazeologjike, këtu, më shumë se në çdo poezi tjetër, fitojnë vlera të reja shënuese, konotative e stilistikore: Në je ndonjë ëngjëll, udhën ke lajthitur, / apo sjell melhemin zemrës së goditur?; Kush të paska rritur, kush të ka selitur? / Trupi yt i bukur si flori i situr!; Në je ndonjë xhinde, xhinde e arratisur, / cilin ke vithisur, kujt i je kolisur?; Në je donjë hije, / hije hyjënore, / kthema zemrën time, / zemrën që ma more!; Gjithë jetën të këndova, të këndova pa u rresht’, / meqë buza më ka plasur, e vendosa që të hesht, / dhe do heshtem deri sot, deri nesër, deri dej, / deri syri në lot regjur zjarr’ e zemrës ta rrëfej’!; Aty shpirti dridhet, aty zemra hidhet, / aty rreth e rrotull lozën gugulidhet; / dhe për her’ të parë po në atë vënd / një zogëz, një …hajde, më rrëmbeu mënd! etj.

Poezia, vargu, fjala në penën / në gojën e poetit, me vlagën vluese të poezisë popullore, portretizon bukurinë e dashurinë, të gëzon magjishëm në shpirt, por gjithashtu ajo edhe tall, ironizon, sarkazmon. Roli i frazeologjisë për këtë është i pazëvendësueshëm: Mirpo zonja ësht’ besnike, ka dhën’ fjalën, ka bër bé, / sa të thahet varri i burrit doemos do rrij’ e vé, / me që varri është i freskët, është i njomë, është i ri, / që të thahet shpejt e shpejt, zonja Lu i bën veri!; Nga satrapët më satrap / nga dervishët më dervish, / ky zabit, ky dreqo-lab, / pa kalem e pa qitap, / paskish lindur me këmish! etj.

  1. Në një prerje statistikore brenda një teksti / një poezie mund të themi se në vëllimin “Vidi-vidi pëllumbeshë!” të Ali Asllanit nuk gjen asnjë syresh që të mos ketë të paktën një njësi frazeologjike. Ato mund të dalin të vetme në një varg e madje edhe në një strofë të tërë: I ra pika: Edhe pika që më ra, që më ra e që më vrau, / i ra gurit dhe e çau, i ra drurit dhe e thau (Mos më duaj tashi e tutje, f. 27); Ta do zëmra? I thuaj: eja! / Një çift kite na mjaftojnë / dhe në vjesht’, kur varet reja, / dallandyshet udhëtojnë. (Dallandyshet dhe vajzat, f. 28)

Por në poezinë e Ali Asllanit ndesh shumë shpesh që në një strofë mund të ketë edhe 2-3, madje edhe 4 njësi frazeologjike, si:

  1. Strofë me 3 njësi frazeologjike: njëra flet me vetull, tjetra me qepalle / valle deti valle, valle për shtat’ qejfe, / s’paska më mir’ valle, se këto me defe! (f. 11).
  2. Strofë me 4 njësi frazeologjike: Natën vjen e bënet dritë, / bënet dritë e bënet yll, / mbi qepalle më trokitë, / s’më lë syrin që ta mbyll. Natën vjen e bënet dritë, / bënet dritë e bënet yll, / mbi qepalle më trokitë, / s’më lë syrin që ta mbyll. (f. 21) Folu, nuk të flasën; ktheu, zën e shkasën / dhe me cep të syrit din’ se si të vrasën. / Dhe ajo që duket engjëllushë e butë / në një shishe brënda dy shejtane futë. (f. 258).
  3. Si u shprehëm më lart, poezia ka “kapriçiot” e veta dhe tek ajo sendërtohet më mirë se kudo pohimi se letërsia është art i fjalës. Por këto kapriçio mund të vërehen sidomos në përdorimin e frazeologjive, të cilat, në një tekst poetik sidomos, nuk dalin në trajtën përfaqësuese, që e identifikon atë si njësi e strukturës leksikore
  4. Në materialin e analizuar, për efekte të ritmit e të rimës, gjen edhe ndërtime frazeologjike lehtësisht të verifikueshme dhe të gjetshme, si: Hanko Halla isha, Hanko Halla jam / Hal’ në sy i kisha, hal’ në sy i kam. / Nuk më mbushet syri, nuk më mbushet zemra / nuk më piqet ylli me të tilla femra! (f. 258).

Por në poezi mund të ketë edhe dy njësi frazeologjike që kanë një gjymtyrë të përbashkët. Njësia frazeologjike del e plotë vetëm te një ndërtim, kurse në tjetrin mungon njëra gjymtyrë, përgjithësisht gjymtyra që nuk është vatër semantike e njësisë: Bëhem palë / bëhem petëz: Un’ poet i shkretëzë / bëhem pal’ e petëzë, / kam një et, një zjarr po thua / dy her’ zjarr një etëzë! (f. 24).

  1. Letërsia, sidomos poezia, kërkon aftësinë, zotësinë dhe mjeshtërinë më të lartë të përzgjedhjes së mjeteve të shprehjes dhe të përdorimit të tyre me art. Në këtë proces, ku gjen vend me peshë edhe frazeologjia, shumë shpesh ndodhin dy dukuri me kahe të kundërta:
  2. 1. Për efekte stili, për ngjeshje të informacionit dhe të kondensimit semantik në poezinë e A. Asllanit, njësia frazeologjike mund të humbasë njërën nga gjymtyrët, duke mbetur në vargun poetik vetëm ajo gjymtyrë që mbart vatrën kryesore informative dhe konotative gjithë njësisë: I bie pika: Gropëzat që, pika mua! / gotëza të mbushura prerë, / që t’i thith një her’ si dua, / jam gati të vdes dy herë! (f. 36)
  3. 2. Dukuria tjetër, e kundërt me të parën, del si proces i zgjerimit të një njësie frazeologjike, si thyerje e kufizimit të saj strukturor, duke u futur midis gjymtyrëve të saj një a më shumë njësi të tjera, tashmë me funksion perifrazues, ftillues, saktësues a aktualizues, madje edhe jo rrallë, edhe për plotësimin e masës metrike të vargut: E fut në dhe të gjallë: Dhe këtu në dhé të gjallë dora jote të më fus’, / që të rroj edhe i vdekur, të vazhdoj për ty të lus! (f. 57).
  4. Nga një herë njësia frazeologjike, për efekte të ndërtimit poetik, e prish strukturim dhe nga një njësi e strukturës leksikore-frazeologjike ajo kthehet në një ndërtim sintaksor frazor, me fjali kryesore dhe me fjali të nënrenditur: Iu dogj zemra: Pyeta zoga, pyeta zogj / pyeta zemrën që m’u dogj. (f. 15); Bëhet yll: Natën vjen e bënet dritë, / bënet dritë e bënet yll, / mbi qepalle më trokitë, / s’më lë syrin që ta mbyll. (f. 21); E theri me sy: Shtatë kate paskish qielli, shtatë ngjyra ylyveri; / shtatëdhjet’ e shtat’ zjarre kishte syri që më theri! (f. 67).
  5. Dihet se një nga figurat e sintaksës poetike, me vlerë të fuqishme stilistikore, është inversioni, proces e dukuri që vërehen dhe te frazeologjia e përdorur nga poeti lirik A. Asllani. Prishja e rendit të gjymtyrëve fiton vlera emocionuese të dyfishta, sepse vetë frazeologjia e ka tipar kryesor ngjyrimin emocionues: Si dritë e thyer në ujë: Pjesa ime një puqer / rrall’ një vetull, rrall’ një sy, / dhe si drita në uj’ thyer / ca kujtime… gjer aty! (f. 41)
  6. Në frazeologjinë e qëmtuar në poezinë e këtij poeti gjejmë dukuri krahinore të të folmes jugperëndimore të shqipes, të asaj vlonjate, që mund të jenë dukuri dialektore morfologjike, fonetike etj.: Po japim vetëm një shembull: në poezi gati gjithandej gjejmë formën bënet / për bëhet: Natën vjen e bënet dritë, / bënet dritë e bënet yll, / mbi qepalle më trokitë, / s’më lë syrin që ta mbyll. (f. 21)
  7. Në frazeologjinë e vjelë nga vëllimi “Vidi-vidi pëllumbeshë!” gjejmë dhe frazeologji që kanë në strukturën e vetë fjalë të huazuara:
  8. Huazime nga turqishtja: Nuse me duvak / xhevaire me vandak:: Këto lodra m’i ka ënda, / këto nuse me duvak, / ball’ o ball’ seç paske brënda / xhevaire me vandak!; Për shtatë palë qejfe: / njëra flet me vetull, tjetra me qepalle, / valle deti valle, valle për shtat’ qejfe, / s’paska më mir’ valle, se këto me defe!; Të shëron xhanin: … Si veriu verës mu në mes të vapës / xhanin ta shëron zër’ i njom i capës.; I bëj hallall: Porosita djalin: – Në se të kam djalë, / ik e i thuaj nuses të m’a bëjë hallallë!
  9. Huazime nga greqishtja: Ormis zemrën: Mu këtu, / ku ormisi zëmrën zoti, / aty kam një guguftu / që e koj me pika loti.; I mahis zemrën: Ra mbi femra i pajisi, / ra mbi zëmra i mahisi!; Iu bë farmak: Tani jam një plakëzë / shtatëdhjet’ pa pakëz / dhe tani po atë dua / një diçka, një puthje hua / që m’u bëftë farmakëzë!
  10. Nëse kundrimi i njësive frazeologjike në poezinë e Ali Asllanit do të bëhej sipas vlerës së tyre leksiko-gramatikore, theksojmë se në grupin me rreth 650 njësi që kemi nxjerrë dhe që e kemi dhënë më poshtë, i gjen të gjitha llojet: njësi me vlerë emërore, mbiemërore, foljore dhe ndajfoljore.

Po ndalemi vetëm në disa njësi me vlerë foljore që tërheqin dukshëm vëmendjen: tek ato që janë përdorur me pjesëza mohuese, duke shprehur një mohim gjuhësor / sintaksor. Mohimi në to nuk ngjizet si pjesë e strukturës semantike, çka vërtetohet dhe nga fakti se ato janë pranuar si njësi në kuptimin pohues. Ndërtim tjetër është thjesht një njësi me vlerë folore me pjesëz mohuese para: I zë besë: kur kam syt’ e tu të zes / buzës sime s’i zë bes’!; Nuk më mbushet zemra: Hanko Halla isha, Hanko Halla jam, / Hal’ në sy i kisha, hal’ në sy i kam. / Nuk më mbushet syri, nuk më mbushet zemra, / nuk më piqet ylli me të tilla femra!; Më piqet ylli: Hanko Halla isha, Hanko Halla jam, / Hal’ në sy i kisha, hal’ në sy i kam. / Nuk më mbushet syri, nuk më mbushet zemra, / nuk më piqet ylli me të tilla femra! etj.

Duke përfunduar këtë parashtrim tepër të shkurtër për disa veçori të frazeologjisë në veprën “Vidi-vidi pëllumbeshë” të Ali Asllanit, theksojmë edhe një herë, se synimi ynë, në këtë punim, më shumë ka qenë të analizojë me themel këtë pasuri të vlerësuar, por më shumë ta evidentojë atë si gjendje gjuhësore. Ne kemi hartuar edhe një Fjalorth frazeologjik, me njësinë frazeologjike në formën përfaqësuese si fjalë titull dhe mandej me jetën në poezi të kësaj njësie frazeologjike. Ato janë lehtësisht të zbërthyeshme semantikisht, dhe një pjesë e tyre janë përfshirë dhe në fjalorët shpjegues të shqipes standarde.

[1] B. Gaçe, Ali Asllani liriku i madh i poezisë shqipe, në A. Asllani, “Vidi-vidi pëllumbeshë!”, Botime “Toena”, Tiranë, 1999, f. 261.

[2] Po aty, f. 261.

[3] A. Asllani, “Vidi-vidi pëllumbeshë!”, Botime “Toena”, Tiranë, 1999.