Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e cilësoi sot ngjarjen e 21 janarit 2011, si vrasje shtetërore.

Në një konferencë për mediet nga Kryeministria, Manja tha se, “sot do dorëzojmë në SPAK kallëzimin penal për ish zyrtarët e lartë të shtetit në kohen kur ndodhën ngjarjet e 21 janarit 2011. Do të kallëzojmë në SPAK, ish-Kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm dhe ish-Komandantin e Gardës së Republikës, por dhe të gjithë zinxhirin tjetër të Gardës së Republikës që ka dalë pas publikimit të një prove të re në mediet e vendit”.

Manja shtoi se, është ora që Prokuroria e Posaçme, që është kompetente për hetimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të shtetit, të bëjë drejtësi për 21 janarin.

“21 janari nuk është hetuar asnjë ditë si vrasje shtetërore. Fakti i bërë publik para pak ditësh tregon qartë se, paska pasur një zinxhirë komandues dhe urdhërues për të qëlluar mbi protestuesit me datë 21 janar 2011. Tashmë i takon Prokurorisë që ta marrë këtë provë të re dhe të fillojë hetimet një orë e më përpara për vrasje shtetërore. SPAK do të duhet t’u japë përgjigje familjarëve të viktimave në radhë të parë, por edhe qytetarëve shqiptarë se çfarë ndodhi më 21 janar kur 4 qytetarë të pafajshëm u qëlluan nga dritaret dhe tarraca e kryeministrisë”, tha ai.

Manja theksoi se, “ish-kryeministri Sali Berisha, çdo ditë për 12 vjet me radhë edhe sot ka deklaruar se, protestuesit në bulevard i vrau Garda e Republikës, e cila sipas Sali Berishës, mbrojti kryeministrinë nga 4 qytetarë me duar në xhepa, që sipas atij kishin ardhur ta rrëzojnë nga pushtetit”.

“Tani ka një fakt të ri që duhet të hetohet në mënyrë objektive nga SPAK-u. Ne presim që SPAK-u të thërrasë të gjithë personat që kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje dhe që nuk janë paraqitur asnjë ditë pranë organit të akuzës. Të thërrasë edhe personat e tjerë që do të rezultojnë nga hetimi objektiv i kësaj çështje dhe të zbardh përfundimisht të vërtetën”, tha Manja.

Manja theksoi se, shqiptarët i kanë parë të gjitha pamjet se çfarë ka ndodhur më 21 janar.

“Tashmë ka një provë të re që duhet ta rihap 21 janarin, për ta hetuar në dimensionin e saj si krim shtetëror. Edhe drejtësia që pretendohet se është bërë për 21 janarin, sepse kam dëgjuar këto ditë se, drejtësia e ka hetuar dhe e ka gjykuar si vrasje nga pakujdesia, por në fakt ato katër vrasje kurrsesi nuk mund të jenë vrasje nga pakujdesia. Nëse pranohet fakti që janë qëlluar nga Garda e Republikës nga dritaret e Kryeministrisë dhe se ka një fakt të ri tashmë të dalë në dritë, që ka patur komunikime zyrtare në radio në një grup të ngushtë që quhet grupi i zjarrit, kjo sigurisht që mbetet një krim shtetëror dhe një ngjarje e pa hetuar”, u shpreh Manja.

Ne, vijoi Manja, “ende besojmë që SPAK-u, që ka ngjallur shpresat e qytetarëve shqiptar tek drejtësia e re, ta marrë këtë çështje, ta hetojë në mënyrë objektive dhe të gjithanshme dhe kushdo që ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje pavarësisht nga pozita shtetërorë që ka patur apo që ka sot, të përgjigjet përpara drejtësisë”.

Manja shtoi se, ne jemi në anën e drejtësisë dhe e kemi inkurajuar çdo ditë drejtësinë e re që të hetojë për çdo gjë dhe mbi këdo.

“E nëse sot ka qindra e qindra zyrtarë të hetuar dhe ndëshkuar për shpërdorim detyre apo për vepra nga më të lehta në këtë vend, ne ende nuk e kuptojmë se si sot një shpërdorim klasik pushteti për të vrarë qytetarë të pafajshëm hezitohet të hetohet dhe të çohet deri në fund. Ne nuk i hyjmë se prova që ka dalë është autentikë apo jo. Kjo i takon SPAK-ut ta hetojë dhe të japë një përgjigje për këtë provë dhe të tjera që do të dalin në hetimin e plotë të kësaj çështje”, tha ai.

Manja shtoi se, SPAK ka sprovën e vet për të dërguar që është në lartësinë e detyrës që i ka ngarkuar Kushtetuta dhe ligji dhe për të hetuar këdo pavarësisht nga pozita që ka patur apo ka sot në hierarkinë e shteti shqiptar.

“Kam thënë para dy ditësh se, 21 janari dhe vrasjet që ndodhen me 21 janar nuk kanë asnjë justifikim. Dhe kushdo që përpiqet të justifikojë vrasjet e 21 janarit në opinionin tim dhe për mendimin tim, kryen një krim tjetër ndaj drejtësisë, sepse vrasja ngelet vrasje dhe është në rrethana rënduese, kur ajo ndodh nga dritaret e Kryeministrisë me pushkët e shtetit dhe nga ish-zyrtarë të lartë të Gardës dhe urdhërdhënësit zyrtarë të lartë të shtetit”, tha Manja.

Dhe, shtoi ai, “të thuash që për 21 janarin nuk është hetuar organizatori, kush i solli, si i solli dhe çfarë i bëri, është një alibi dhe një krim i shëmtuar ndaj drejtësisë për të barazuar vrasësit me protestues të lirë që ishin mbledhur në Bulevard për të protestuar për të drejtat e tyre. Dhe unë nuk di sot nëse ka ndonjë rast ku hetohen protestues të lirë, njerëz me duar në xhepa si organizator për vrasjet, kur nga ana tjetër vrasjet, çdo ditë ish-kryeministri e thotë, po, i vrau garda në zbatim të ligjit për të mbrojtur godinën e Kryeministrisë, madje deklaron dhe vetë se, po të isha në të njëjta kushte do të kisha marrë snajperin dhe vetë dhe do kisha vrarë ish-kryetarin e opozitës në atë kohë, Edi Ramën. Dhe unë nuk e di se si mundët, qoftë dhe vetëm për këtë deklaratë prokuroria e djeshme do të duhet ta kishte marrë në përgjegjësi penale ish kryeministrin Sali Berisha”.

“Sot do ta dorëzojmë kallëzimin. Sigurisht që kallëzimi do të drejtohet në SPAK dhe pastaj administrimi i kasetës si provë i takon prokurorisë.”, theksoi Manja./atsh/Revista TIME