Një konkurs i ri është hapur nga Ministria e Kulturës që ka për qëllim realizmin e veprave të artit në hapësirat publike, siç janë rrethrrotullimet, mbikalimet. I pranishëm në prezantimin e konkursit ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se synimi është që ky konkurs të shtrihet çdo vit. Ky projekt parashikon, që artistët të cilët do përfitojnë fond nga qeveria, të krijojnë vepra arti në 18 hapësira publike të përcaktuara nga Ministria dhe ARRSH.

Rama tha se për çdo projekt, kur është e nevojshme, do të ngrihet një grup pune, që përveç artistit do të marrë pjesë edhe inxhinierët por edhe ekspertë të fushës. Pas rezultateve që do japë ky projekt, kreu i qeverisë tha se synohet që ky projekt të shtrihet edhe brenda institucioneve publike, njëjtë si në vendet e botës, ku institucionet publikë kanë brenda tyre vepra arti.

“Është e qartë se cila është ideja, ka nevojë për më shumë informacion. Do të mund ta gjeni në faqen e Ministrisë së Kulturës. Qëllimi është që të ndërhyjmë në hapësirat publike duke krijuar një impakt. Objektivi është që të jetë një program i përvitshëm i qeverisë, të shtrihet jo vetëm në hapësirat publike. Program që do kërkojë edhe testin e eksperiencës për të parë sesi do ecë, çfarë të përmirësohet, sugjerimet apo kritikat e komuniteti, artistëve. Për ti garantuar qëndrueshmëri programit do jetë mirë ti japim një formë të posaçme institucionale. Programi ka edhe qëllimin, stimulimit të skenës artiske, mbështetjen e aktorëve”, tha Rama.

Fondi për këtë projekt është 200 milionë lekë, ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti shpjegoi të gjitha fazat sesi do të funksionojë. Margariti bëri me dije se janë përcaktuar 18 lokacione për këtë vit për veprat artistike. Aplikimi do të bëhet online në faqen e Ministrisë së Kulturës, deri më datë 7 gusht, më pas juria do të vlerësojë aplikimet deri më 28 gusht dhe fituesit do të shpallen më 2 shtator. 1 aplikant ka të drejtë të propozojë vetëm tre ide.

“Nismë shumëplanëshe që e kemi diskutuar me kryeministrin. Ide e tij për të sjell rikualifikim jo vetëm artistik por edhe urban të hapësirave publike. 200 milionë lekë, fond gjenroz, që i është besuar ministrisë së Kulturës. Vjen edhe një bashkëpunim i disa institucioneve për ti dhënë vlerë edhe identitetit lokal, por për të sjellë frymën edukimit, përmes artit. Të bëjë bashkë jo vetëm artistët, arkitektë., planifikues urban, inxhinierë ndriçues. E kemi nisur në bashkëpunim me institucione të ndryshme publike edhe me profesionistë të ndryshëm. në bashkëpunim me ARRSH për të identifikuar pika që mund të zhvillohen. Duam ta vazhdojmë çdo vit. Kemi identifikuar 18 lokacione në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm mbikalimi rrethrrotullimi, kemi edhe një qendër spitalore. Ky program në vitet në vazhdim të shtrihet edhe brenda institucioneve publike. Thirrja çelet në website-in e ministrisë së kulturës, e shpallim sot dhe çdo aplikant mund të paraqitet deri me tre vepra, mund të zgjedhë tre lokacione. Faza parë zgjat 45 ditë, deri më 7 gusht. Bëhet vlerësimi i ideve më pas mblidhet juria dhe përcakton një shortlist. Faza e dytë deri më 28 gusht. më 2 shtator kemi shpalljen e fituesve.