Specialistët e ICOM në bashkëpunim me koordinatorë nga i gjithë rajoni kanë krijuar “Listën e Kuqe” të trashëgimisë kulturore në rrezik. Rritja e gërmimeve pirate ka çuar në domosdoshmërinë e hartimit të kësaj liste e cila përmban 119 objekte nga 45 muze nga Ballkani perëndimor.

Edlira Andoni kryetare e ICOM për Shqipërinë thotë se janë përzgjedhur 10 objekte arkeologjike nga muzetë e Shqipërisë që rezultojnë në listat e trafikimit.

“Qëllimi i përgatitjes së këtij manuali është të ndihmojë individët, organizatat dhe autoritetet, veçanërisht punonjësit e policisë e të doganave, që nëpërmjet konsultimit të këtij dokumenti, të arrijnë të identifikojnë të mirat kulturore që mbrohen nga ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Është e rëndësishme të theksohet se objektet e përzgjedhura në “Listën e Kuqe” nuk janë objekte të vjedhura.

Ato janë objekte të inventarizuara brenda koleksioneve të institucioneve muzeale dhe shërbejnë për të ilustruar kategoritë e trashëgimisë kulturore më të prekshme nga trafiku i paligjshëm” thekson Andoni .

ICOM beson se ky manual do të kontribuojë ndjeshëm në zbutjen e problemit të trafikimit të paligjshëm të objekteve të trashëgimisë kulturore dhe do të kthehet shumë shpejt në një instrument të rëndësishëm dhe afatgjatë mes arsenalit të ligjeve dhe masave shtrënguese për mbrojtjen e kësaj pasurie të çmuar të Evropës Juglindore.

Në ditën Ndërkombëtare të Muzeve specialistja Elsa Zhulali e vë theksin tek rënia e ndjeshme e numrit të vizitorëve në 3 vitet e fundit. Sipas saj kjo lidhet me mungesën e fondeve për përmirësimin e muze si dhe keq menaxhimi, fondeve muzeale.

Pjesa më e madhe e muzeve në Shqipëri nga 53 që është numri në total kanë fytyrë të vjetëruar ende ata vazhdojnë të jenë me linjën e koncepteve të realizmit – socialist, apo pa shënime në gjuhë të huaj, ç’ka i ofrojnë shumë pak mundësi njohje vizitorëve./abcnews/Xh.M