Mesditën e së shtunës, janë ndarë çmimet e edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit në Prishtinë. Shoqata e Botueseve të Kosovës, që ka përsipër organizimin e Panairit, i cili sivjet është rikthyer pas dy edicioneve të munguara, gjithsej ka ndarë dhjetë çmime. Shkumbin Gashi ka marrë Çmimin për shkrimtarin më të mirë të letërsisë shqipe, e Claude Arnaud atë për shkrimtarin më të mirë të huaj.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua që ta pranoj këtë çmim pikërisht në Prishtinë, në vendin ku unë jam rritur. Përkundër që jetoj në Zvicër, e kam një përshtypje që Prishtina asnjëherë nuk më hidhërohet. Më pret gjithmonë mirë, më pret si gjyshja që pret nipin e saj”, ka thënë Gashi me emocione, derisa ka pranuar çmimin. Gashi hyri në botën e letërsisë me “Anormopatia”, botuar më 2017, e më 2020 u bë i njohur me romanin “Nënë më fol për ëndërrimtarët”, kur mori edhe çmimin “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë.

Shkrimtari francez Arnaud nuk qe i pranishëm në ceremoni, por në ditët e para qe mysafir, pasi edhe iu promovua botimi në shqip i romanit të tij “Dhembja e rrënojave”.

“Jam më se i lumtur ta meritoj çmimin si shkrimtari më i mirë i vitit, i huaj, dhënë nga panairi i 22-të i librit ‘Prishtina 2022’. Kosova e pëlqen leximin, unë e adhuroj të shkruarit, le të jetë kështu përgjithmonë”, ka qenë mesazhi që ai ka lënë, lexuar prej Edon Zenelit, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Ishte juria e përbërë nga akademikët Ali Aliu e Zejnullah Rrahmani, Reshat Sahitaj nga Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, Edon Zenel kryetar i ShBK-së dhe Majlinda Rama, kryetare e jurisë, që vendosi për çmimet e Panairit.

Dy çmime u ndanë edhe për autorët e letërsisë për fëmijë. Çmimin për letërsinë për fëmijë, tregime, e mori Drita Ruhani për veprën “Në koma”, botuar nga SAS, Prishtinë.

“Sa është nder, aq më keni ofruar edhe shumë emocione. Dashurinë për librin, për fëmijët, për krijesat e pafajshme e kam pasur tërë jetën. Sot gëzohem shumë që këtë dashuri po e ndaj me ju. Ju faleminderit shumë”, ka thënë Ruhani.

Ndërkaq për një lloj tjetër të prozës, Çmimin për letërsinë për fëmijë në roman e mori Fatmir Gjestila me veprën “Briri i artë shndërrues”, botuar nga “Emathia”, Tiranë.

Gjestila, i cili punon edhe si mësues, ka thënë se kur po e merrte këtë çmim, gjëja e parë që i bie ndër mend janë nxënësit e tij dhe gëzimi i tyre kur ta kuptojnë se ai ka marrë një çmim në Prishtinë.

“Është një emocion i veçantë për mua. Në fakt mundohem që t’i mbërthej emocionet e mos t’i shfaq. Si mësues mbase në këto momente së pari i mendoj nxënësit e mi, të cilët i kanë vlerësuar disi libra të mi, por nuk e di si do t’u duket kur unë të shkoj me këtë çmim dhe së pari t’ua tregoj atyre. E di se do të ndihen të lumtur dhe kjo më gëzon shumë”, ka thënë ai.

Dy çmime ka pasur edhe për përkthyes.

Diana Çuli mori Çmimin për përkthyesen e vitit 2022 në prozë, për përkthimin e veprës së Barbey d’Aurevilly “Diaboliket”, ndërkaq Mirela Papuçiu mori Çmimin për përkthyesen e vitit në poezi, për përkthimin e veprës së Laurent Grisonit, “Voltaikët”, botuar nga “Buzuku”.

Gazetarja dhe shkrimtarja Alketa Gashi-Fazliu u vlerësua me Çmimin për poezi, për veprën “Pikë”, botuar nga “Artini”, Prishtinë.

Kryetarja e jurisë, Majlinda Rama, ka thënë se “për ta thyer paksa rutinën, juria kishte vendosur të japë edhe një çmim shtesë, Çmimin për vepër kapitale”. Atë e ka marrë publicistja dhe studiuesja e shquar e letërsisë, Alda Bardhyli, për veprën “Kohë për rrëfim” – dialog me Ismail Kadarenë.

Çmimi për roman iu dha Namik Dokles për  “Kolerë në kohë të dashurisë”.

“Ashtu si edhe romanin ‘Kolerë ne kohë të dashurisë’, kam dëshirë që edhe këtë çmim t’ua kushtoj poetëve të pushkatuar dhe të varur dhe jo më pak, atyre që u vranë shpirtërisht”, ka thënë Dokle.

Behar Gjoka me librin “Hejza e Pashkut”,botuar nga “Buzuku”, Prishtinë, fitoi Cmimin e kritikes.

Akademiku Ali Aliu, i cili ia ndau këtë çmim, ka thënë se ky libër është “një studim, një monografi për shkrimtarin që në prozën shqipe ka shënuar një nga kthesat kryesore të poetikave narrative”.

“Faleminderit për vlerësimin e kësaj ‘dashurie dhe mallkimi të disa moteve’ që unë jam ndalur te mjeshtri i prozës, i dramatikës, mjeshtri i fjalës, te gurthemeli i letërsisë moderne shqipe”, ka thënë Gjoka./Xh.M